Robert Nuha, koreografi kosovar konkurrent për ambasador evropian, votoni për të

0
228

Robert Nuha ka qenë gjithnjë i dhënë pas gjuhës së trupit, komunikimit joverbal në të cilin sjelljet fizike, ndryshe nga fjalët, përdoren për të shprehur ose përcjellë informacion. Kësisoj, i bindur në moshë të hershme se e ardhmja e tij do të projektohej mbi skenë, u diplomua për koreografi në vitin 2016 në Universitetin e Arteve në Tiranë. I lindur në Komoran, Kosovë, Roberti ka marrë pjesë në një sërë projektesh artistike dhe e ka prezantuar punën e tij në festivale të ndryshme europiane. Mirëpo, i mbetet besnik komunikimit, edhe kur ushtrohet verbalisht.

Së fundmi po konkurron për të qenë ambasador i ri europian. Roli i ambasadorëve të rinj të Evropës (YEA) konsiston në përfaqësimin e rinisë së vendeve përkatëse, si dhe në krijimin e një rrjeti bashkëmoshatarësh nga Bashkimi Europian. Në një intervistë për gazeta “Fjala”, Roberti tregon fillesat e dëshirës për të qenë një i tillë mes 60 të rinjve ballkanas; ndalet në subjektin që pikaset më së shumti në krijimtarinë e tij, sikundër është lufta e Kosovës, dhe nuk ngurron të flasë për baletin, mënyrën se si lëvrohet në vendlindje dhe Shqipëri.

Si lindi dëshira për të qenë në një të ardhme “Ambasador i ri i Europës”?

Në fakt gjithçka ka qenë e rastësishme dhe mbase spontane deri diku, me hasjen e një njoftimi në rrjetet sociale ku bëhej thirrja për aplikantë të cilët duan të jenë ambasadorët e rinj europian. Sigurisht, me eksperiencë artistike në shtete të ndryshe europiane. E pashë tërheqëse si thirrje dhe mendova: pse jo? Më ngjan si një rrugë shumë e mirë për të sfiduar veten dhe, pse jo, të jap akoma më shumë për vendin tim.

Në ç’mënyrë dhe në sa faza është konceptuar konkurrimi mes të rinjve nga Ballkani?

Është konceptuar në tre faza. E para është përzgjedhja nëpërmjet një videoprezantimi të secilit konkurrent. Faza e dytë është votimi për individin favorit, ku secili që është aktiv në internet dhe ka një email aktiv mund të votojë. Ndërsa faza e tretë dhe e fundit është mbledhja e jurisë profesionale, e cila përzgjedh kandidatët jo vetëm nga votat e mbledhura por edhe nga ajo se çfarë ofron CV-ja e secilit prej kandidatëve.

Nëse ndodh të fitosh YEA-n, çfarë sfidash dhe detyrash shtrihen përpara teje?

Jam person që më pëlqejnë dhe intrigojnë sfidat, të cilat, natyrisht, në një formë ose në një tjetër, kanë një lloj lidhjeje me artin. Mendoj se sfida ime më e madhe është prezantimi dhe përfaqësimi në mënyrë sa më dinjitoze të vlerave individuale, kulturore e artistike, jo vetëm të miat, por edhe të rinjve kosovarë. Sfidë tjetër është edhe ndarja e kohës në një periudhë3-vjeçare, në të cilën duhet të jem aktiv në të gjitha aktivitetet që YEA ndërmerr nëpër vende të ndryshme të botës. Mbase kjo do të më limitojë kohën që zakonisht i kushtoj krijimeve dhe kërkimeve të mia artistike. Mirëpo, besoj se me pasion dhe dëshirë do të arrij të organizohem. Një ndër gjërat më të mira të YEA-s është që 60 të rinj nga Ballkani do të punojnë së bashku, të njihen akoma më shumë me kulturat europiane dhe të afrojnë më shumë Ballkanin Perëndimor me Europën, me qëllim që kjo e fundit të njohë më afër mendësinë, kulturën, zakonet dhe mënyrën e jetesës së ballkanasve. Afërsia dhe shkëmbimet besoj se do të na shërbejnë në të ardhmen të bashkëveprojmë me njëri-tjetrin pa marrë parasysh nga cili vend jemi; të gjithë së bashku për një të mirë kolektive.

Përjetimet personale gjatë luftës në Kosovë…Ky është subjekti i një prej shfaqjeve tuaja (“Nata e Bardhë”). Ishte zgjedhje apo rrjedhojë e një të kaluare të trishtë, gjurmët e së cilës ende nuk janë zhdukur?

Nata e Bardhë” është një shfaqje danci që ka si pikënisje përjetimet personale gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndikimin e pakontestueshëm tek mënyra se si jetonin fëmijët në atë ambient, si dhe pasojat që ajo la tek ne gjatë rritjes. Lojërat që çuditërisht bëheshin një me habitatin dhe kushtet ku mbijetonim. Luanim “luftash” ndërkohë që jo shumë larg nesh, njerëzit vriteshin me të vërtetë. Jo më kot shfaqja është titulluar “Nata e Bardhë”. Liria erdhi nëpërmjet bombardimeve të NATO-s. Qielli u ndriçua në një kohë kur prisnim vetëm errësirë. Ishte një natë festive, pa muzikë, por me konfuzionin dhe pyetjet e fëmijëve si “çfarë po ndodh?” “përse po largohemi nga mali dhe ky vend që na lejonte të luanim si të donim?” Ishte e njëjta natë kur pashë time më të buzëqeshur pas shumë kohësh…Është e pavend të përsëris pasojat e tmerrshme të luftës. Shumë pretendojnë se janë vdekjet e shkaktuara nga nbjeriu, por personalisht kam mësuar se akoma më e keqe është moslënia e gjurmëve. Ka të afërm të trazuar në shpirt të cilët ndodhen në kërkim të trupave edhe sot e kësaj dite…Këtë shfaqje ia kam kushtuar atyre që nuk u gjetën, e që ndoshta na thërrasin, por ne nuk arrijmë t’i dëgjojmë. Gjithashtu fëmijëve të atëhershëm, bashkëmoshatarëve të mi me të cilën ndava luftën.

Lexo edhe : Hajdari: Ndjehem krenare, sot u heqim fuqinë kryetarëve dhe ua japim shqiptarëve
Një vit më parë keni reaguar rreth Trupës së Baletit të Kosovës dhe përgjegjësisë së madhe për të investuar në cilësi dhe qasje origjinale në fushën e baletit. Ka ndryshuar diçka nga ajo kohë?

Besoj se në çdo sferë të jetës kritikat janë pikërisht ato që i japin hov zhvillimit. Për fat të keq, një konceptim të këtillë nuk e kam parë në një pjesë të trupës së BKK-së. Uroj që ata të reflektojnë sa më parë mbi gjërat totalisht profesionale që kam trajtuar në reagimet e mia. Si profesionist i fushës paraprihem të kapërcej edhe veten, kur vihet në pyetje dinjiteti profesional. Dhe si i tillë, kam menduar dhe vazhdoj të mendoj për një të mirë kolektive meqenëse BKK është institucioni më i lartë koreografik në Kosovë. Nuk e di nëse ka ndikuar reagimi im në angazhimin e koreografëve shqiptarë me famë botërore si Eno Peçi apo Blenard Azizaj, me të cilin kam patur fatin të bashkëpunoj. Sido që të jetë, e përshëndes BKK-në. Vetëm kështu, duke angazhuar njerëz profesionist, duke qenë të përgjegjshëm për pozicionin që kanë në koreografi në nivel shteti, mund t’i hapet rrugë njëherë e mirë profesionalizmit.

Nëse i futemi një vorbulle krahasimore, si paraqitet zhanri që lëvroni në Kosovë dhe në Shqipëri. Ka dallime?

Normalisht që po! Mirëpo besoj se kjo është e bukura. Nëpërmjet dallimeve krijohet mundësia e shkrirjes me qëllim që të gjendet një gjuhë origjinale artistike. Në Tiranë dhe Prishtinë shoh një tendencë për të ndjekur rrugën bashkëkohore të të krijuarit dhe qasjes artistike, mjaft tendencë pozitive do thoja. Kosova dhe Shqipëria janë të lidhura në mënyrë organike dhe natyrisht, në varësi të situatave historike, ekzistojnë edhe mangësitë e përparësitë. Mirëpo, dashuria për njëri-tjetrin na ka bërë që të rritemi së bashku.

Çfarë lidhje ka Roberti me Tiranën?

Kam jetuar afërsisht 8 vite në Tiranë. Këto dy vitet e fundit e kam vizituar më pak, për shkak të angazhimeve artistike dhe familjes që kam në Kosovë. Në Tiranë kam kaluar kohën më të mirë të jetës sime, kam njohur njerëz të jashtëzakonshëm, artistë të afirmuar e që për fat me shumicën prej tyre kam patur fatin të bashkëpunoj. Jam rritur profesionalisht dhe kam zhvilluar e pasuruar qasjet e mia, qoftë për artin, qoftë për jetën.

Në kuadër të pandemisë Covid-19, e cila ka prekur mbarë botën, Roberti si po i kalon të tijat ditë?

Në këtë periudhë si gjë të mirë llogaris kohën që po kaloj me familjen time, me të cilët nuk arrij të mblidhem siç duhet për shkak të angazhimeve profesionale. Jam gjithashtu në përgatitje të koncepteve dhe formave bazë për punët që më presin në të ardhmen e afërt, sigurisht, pas pandemisë. Konkretisht po merrem me shfaqjen “InOut”, e cila pritet të ketë premierën në Siena të Italisë në fillim të 2021.Teksa mbetem në pritje të stabilizimit të situatës, synoj që shfaqjen “Let’s Go”, ku kam bashkëpunuar me koreografin e mirënjohur Gjergj Prevazi dhe Fjorald Doci, ta dërgoj në disa festivale europiane.

Robert Nuha