Rinaldo Sata, artisti shqiptar që e hapi veten në industrinë ndërkombëtare të fotografisë

0
90

Arber Selmani

Bella Hadid e Eva Herzigova janë vetëm dy prej modeleve që ai ka pasur privilegjin dhe mundësinë t`i fotografojë. Emrin e shqiptarit Rinaldo Sata e gjen nëpër plot fotosesione të rëndësishme, ndonëse shqiptarët atë nuk e njohin shumë. Fotografitë e guximshme të tij tregojnë shumë edhe për vetë Rinaldon, një shpirt mbushur me finesë dhe egërsi fotografie.

Shumë i ri largohet për në Itali, më pas në shtete tjera, sot Rinaldo jeton në Londër, prej nga shumë shpesh shtrëngon duart e tij me duart e fytyrave të mrekullueshme që dalin prej fotografive të cilat ai i realizon.

Sesionet fotografike me Vogue dhe Harper’s Bazaars i kanë shijuar shumë, njëjtë si secili angazhim i tij. Rinaldo, fotografinë e trajton njëjtë sikur i devotshmi Librin e Shenjtë, apo poeti – vargun më të dashur.

Gjatë këtij viti, Rinaldo fotografoi edhe shqiptarët, jetesën e tyre, burrneshat, Nikollën, çobanin, Pashkën. Vitin e kaluar, e fotografoi edhe Winnie Harlow.

Në këtë intervistë, Rinaldo për KultPlus vjen për herë të parë në shqip, si asnjëherë tjetër, për të na rrëfyer më shumë për jetën e tij si fotograf që ka prekur kompanitë e skenat e mëdha të fotografisë botërore, dhe është njëri nga ne, një shqiptar i suksesshëm i botës.

Rinaldo, në moshën 2 vjeçare je larguar nga Shqipëria, bashkë me familjen tënde. A ke kujtime nga ajo kohë, nga fëmijëria jote, apo nga udhëtimi për në Itali.

Nuk kam kujtime. Kam qenë shumë i vogël në moshë, nuk mbaj mend shumë nga ajo kohë, as nga udhëtimi drejt Italisë. Disa herë e kam pyetur familjen time të më tregojë në detaje çdo hap të këtij rrugëtimi. Ka plot emocione, njëjtë mbushem edhe unë me emocione, kur dëgjoj për lëndueshmërinë, pë guximin e tyre për ta marrë vendimin, por pa burime dhe bazë në Itali, kur u nisën drejt një shteti tjetër – në fakt, shumë afër gjeografikisht por shumë ndryshe nga Shqipëria komuniste dhe e ngrirë në kohë.

Mendoj se këto tregime dhe melankolia për vendlindjen e prindërve të mi, ekspozimi im ndaj tyre, ka ndihmuar shumë në karakterin dhe ndjeshmërinë time.

Si nisi më pas karriera jote…

Për fatin tim të mirë, familja ime asnjëherë nuk e mbylli veten brenda një komuniteti. Unë u rrita sikur çdo fëmijë tjetër në Itali, si vendas në fytyrën e botës, por me diçka shtuar: me një kulturë të dyfishtë brenda shtëpisë sime. Në shtëpinë time kishte pasta e rizoto, por patjetër byrek dhe qofte gjatë ditëve festive; prindërit e mi kanë qenë fansa të Queen, Nina Simone and Tracy Chapman, por kur nisnin të pinin verë ose raki, këndonin serenatat e Shkodrës apo këngët tironse, para meje i kënaqur e i ekzaltuar – kuptohet që nuk i kam ditur tekstet e këngëve, por këto këngë më lumturonin.

Pra jam rritur si një djalë italian, atje e kam përfunduar shkollën e mesme dhe universitetin: kam dashur të punoj në teatër, aplikova dhe i bëra ballë seleksionimit të vështirë për skenografi në Accademia di Belle Arti di Brera, Milano. Në mjediset e kësaj Akademie e zbulova pasionin tim për fotografinë. Më pas vazhdova me studimet master në Fotografi në të njëjtën Akademi, dhe më pas një vit në Universidada Complutense de Madrid, Madridi – ky një qytet i dashur për mua, falë një burse që e fitova.

E kam dashuruar Madridin, jetën e natës dhe stilin e jetës të së cilit tanimë e kisha njoftuar. E nisa me projekte të pavarura, aty këtu. Pas dy viteve atje, një vend me tjetër kulturë nga ajo e Mediterranit po më ftonte: Anglia, gjegjësisht Londra, kryeqyteti evropian i arteve, fotografisë dhe modës. Një vend ku shkrihet diversiteti njerëzor dhe etnitetet. Në Londër u bëra asistent i Mariano Vivanco, një fotograf i njohur i fytyrave publike, duke qenë pjesë e sesioneve fotografike të Vogue dhe Harper’s Bazaars, GQ dhe të tjera gazetave e kompanive prestigjioze të modës e fotografisë. Duhet të them se mësoj shumë prej këtij njeriu; profesionalizmi, bashkë me talentin, qëndrueshmërinë dhe insistimin, janë çelësi i suksesit.

Pas një viti e kuptova se jam gati të filloj punën si fotograf i pavarur (freelance) dhe e morra përsipër rrezikun. Kanë kaluar kësisoj gjashtë vjet që unë e ushtroj pasionin tim si profesion. Kuptohet, ndihem i bekuar që e bëj atë që dua.

Çka shkëlqen nuk është gjithmonë ari: ka qenë e vështirë në shumë pjesë, por ato që mbizotërojnë janë kujtimet e mira: Pata mundësinë të udhëtoj shumë, kam njohur vende e kultura, kam takuar plot njerëz.

Cila ishte sipas teje pika e kthesës në karrierën tënde prej fotografi, në kuptimin që cili ishte momenti kur e kuptove se ke hyrë brenda tregut të pamëshirshëm të fotografisë?

Çka është më së shumti lajkatuese, është fakti se njerëzit të citojnë, në kuptimin që ata mund ta definojnë stilin tënd ose shohin diçka me të cilën e lidhin veten në punën tënde dhe stilin tënd të fotografisë. Shumë e vërtetë. Sepse kjo do të thotë që ti po len diçka prapa, dhe dëshiron të rritesh shumë e më shumë, më fuqishëm, për të evoluar bashkë edhe me zhvillimin e jetës tënde dhe eksperiencave që një njeri i jeton.

Kur u bëra një fotograf i diplomuar, kisha frikë se si ta gjeja stilin që do të më përshtatej më shumë, që unë do ta pëlqeja. Shpesh kam menduar se kjo do të jetë e paarritshme.

Me kohën e kupton që krejt çka duhet të bësh është të krijosh, të realizosh, dhe eventualisht stili do të krijohet si i tillë, në një mënyrë të sinqertë. Vetëm duke shikuar prapa në trupin e punës tënde, mund të gjesh ngjashmëri dhe analogji që më pas e definojnë këtë stil.

Cilat janë disa prej fytyrave publike që i ke fotografuar dhe që mund t’i kujtosh, ndoshta edhe ndonjë moment nga sesionet e fotografive…

Unë nuk jam fort i projektuar kah fama, në kuptimin që jam më shumë i inspiruar të fotografoj njerëzit rreth meje, ata që i gjej në rrugë, në vendet ku udhëtoj, apo në vendet e tyre të punës.

Jam i lumtur kur fotografoj fytyra që janë më të njohura, por kjo nuk është urgjente për mua për momentin. Mendoj se fotografitë e fytyrave publike do të vijnë si një proces natyral në karrierën time, por shpresoj që do të jem në gjendje të fotografoj gjithmonë ata që më inspirojnë.

Ka qenë sidomos kënaqësi seti i fotografive me Bella Hadid dhe Eva Herzigova në Dior Ball, në Muse Rodin në Paris.

I shoh fotografitë tua dhe shoh plot fytyra, prej kah ku obsesion me fytyrë…

‘Fytyra është pasqyra e shpirtit’

E kam tendencë që të futem thellë në fytyrat e njerëzve që i fotografoj (close-ups). Në jetën e përditshme, karizma dhe sjellja i japin bukuri një njeriu. Pa këto shprehje, vetëm fytyra dhe trupi i njeriut si të tilla nuk e japin të njëjtën tërheqje. Fotografitë e hollësishme të fytyrave janë një nxitje për të komunikuar çka unë ndjej dhe marr prej subjektit tim, drejt audiencës dhe shikuesit të fotografisë.

Fytyrat, njëjtë si trupat, janë shumë të bukur, pa marrë parasysh seksin, formën dhe shijet personale. Unë besoj fuqishëm që bukuria është gjithmonë aty, është detyrë e jona ta hetojmë me anë të ndjeshmërisë sonë, duke u qetësuar e duke shikuar thellë brenda saj, për ta liruar mendjen dhe veten prej barrierave që na ka mësuar shoqëria. Duhet ta gjejmë të bukurën në njerëzit rreth nesh.

Dua t’i përcjell me anë të fotografive të mia këto përvoja që i marr dhe i jetoj gjatë sesioneve të fotografisë, dhe prej këtij momenti fotografitë mund të interpretohen si të duan prej audiencës: disa mund ti gjejnë të njëjtat nuanca, tipare të fytyrës dhe karakteristika që unë i shoh, të tjerët mund të kapen për krejt diçka tjetër.

E dua këtë fakt. Për këtë fakt edhe e dua fotografinë më shumë se gjithçka tjetër. Sepse një fotografi është teknikisht paraqitje e një realiteti, por falë filtrimit të fotografit një fotografi është e aftë të transmetojë tek spektatori një përfaqësim të zgjedhur të një qenieje njerëzore. Në një mënyrë, ashtu si fotografi ka dashur ta paraqesë: një realitet të manipuluar.

 “Fotografitë janë një mënyrë për ta burgosur realitetin… Askush nuk mund ta zotërojë realitetin, por mund ta zotërojë fotografinë. Askush nuk mund ta zotërojë të tashmen por mund ta zotërojë të ardhmen” – Susan Sontag – On Photography.

Photographs are a way of imprisoning reality…One can’t possess reality, one can possess images–one can’t possess the present but one can possess the past.” Susan Sontag – On Photography

Kohëve të fundit po i kthehesh rrënjëve tua, njohjes më shumë me Shqipërinë. A më tregon më shumë se si e sheh Shqipërinë sot dhe sa është inkuadruar ajo në punët tua?

Jam më afër me Shqipërinë, kam ri-zbuluar rrënjët e mia kur e lashë Italinë për Spanjën, dhe edhe më shumë kur shkova në Londër dhe fillova ta kuptoja që mund të vizitoj e jetoj në shumë vende të botës, por megjithatë vendi ku ke lindur nuk do të ndryshojë asnjëherë: është një lidhje e pakushte, deshte ti apo nuk deshte. Kështu më ndodhë me Shqipërinë, ndjenjë që dallon prej vendeve tjera. Nuk e kam ndjerë veten kështu më parë, por tash po.

Plus, Shqipëria duket se është vend me pafundësisht potencial kulturor dhe antropologjik të pazbuluar, çka e bën edhe më tërheqëse për mua. Po e hapi Kutinë e Pandorës! 🙂

A i përcjellë artistët nga Kosova e Shqipëria, çka mund të thuash për punën e tyre…

E kam përjetuar një fazë të zbulimit, kam dashur të di më shumë çka ndodhë në Shqipëri. Plot kuriozitet, etje dhe dëshirë për tu influencuar. Me një dëshprim të madh e kuptoj më pas se skena kryesore ka tendencë të fortë projektimi dhe ekspozimi të një shoqërie tepër aspiracionale. Por ky proces ka rezultat të tmerrshëm, sidomos në skenën muzikore, që unë e quaj TURBOFOLK. Kur provoj të dëgjoj muzikë nga Shqipëria – jam shumë kureshtar të dëgjoj muzikë nga gjuha ime amtare, shpesh gjej muzikë të regetonit, folk, hip-hop, muzikë turke, muzikë elektronike, TË GJITHA NË NJË, që përthekohen në një miks stili të çuditshëm, pa shije.

Më pëlqen muzika tradicionale shqiptare, por fatkeqësisht nuk ka shumë ripërpunime të këngëve të tilla në Youtube ose Spotify që e respektojnë stilin origjinal të versioneve të orkestruara e incizuara kohë më parë.

Në aspektin e fotografisë, i njoh disa fotografë të famshëm në Shqipëri, dhe puna e tyre sikur nuk më intereson. Pa keqkuptime, mendoj se ka shumë artistë të mrekullueshëm shqiptarë në Balet, në Operë, në Art Bashkëkohor, por nuk operojnë në panoramën kombëtare të Shqipërisë, shumica kanë zhvilluar korpusin e punës së tyre ndërkombëtarisht.

Në anën tjetër, kur shkoj në Tiranë kam fort dëshirë ta vizitoj Galerinë Kombëtare të Arteve, kam parë plot ekspozita të mira atje, që më kanë bërë krenar, kuruar nga drejtori i përgatitur dhe me përvojë Erzen Shkololli –i cili edhe është përkujdesur për ta pastruar, ruajtur dhe për ta sjellë muzeun në përgjithësi në madhështinë e tij origjinale.

E dua Muzeun e Marubit në Shkodër.

Sa i përket skenës së artit bashkëkohor në Kosovë, kam një ndjenjë prej disa artistëve që i kam takuar, se panorama kombëtare e Kosovës ka artistë shumë të sinqertë, të guximshëm, të motivuar, artistë radikal. Feminizmi, queerness dhe të drejtat e njeriut janë disa prej temave që e shoh se ata i trajtojnë dhe thumbojnë në punët e tyre. I mbështes dhe shpresoj që zëri i tyre të bëjë shumë jehonë dhe të përdorë përparësitë e komunikimit të cilat vetë arti i ka në dispocizion: të hapë mendjet, të edukojë masat.

Nëse krejt karriera jote do të bërtiste një fjalë a përshkrim, cila do të ishte ajo?

E lejoj shikuesin e fotografisë që të vendosë vet si do ta quajë fotografinë, por çka njëmend më intereson është shumëllojshmëria, në secilin kuptim.

Bukuria e trupit të njeriut është shpesh subjekt i turpërimeve, shpesh mbuluar dhe stolisur rëndë. Shumë shpesh, çka është ndryshe prej botës së bardhë, perëndimore e heteronormative largohet dhe neglizhohet, duke mos iu dhënë asnjëherë ekspozimi dinjitoz. Besoj fuqishëm se këtë duhet ta ndërrojmë. Duhet të jetë një temë e pranishmë në punën e artistëve dhe njerëzve të industrisë kreative, për ta zhvilluar më shpejtë shoqërinë.

Kush është personi me të cilin të pëlqen më shumë të realizosh fotografi, sesione fotografish?

Nuk e di. Nuk ka një person të caktuar. Sidomos preferoj të fotografoj aktorët sepse ata nuk kanë frikë që të marrin instruksione, t’i drejtoj unë. Ata marrin këshillat e mia dhe më pas i zhvillojnë ato në një drejtim krejt tjetër, shumë personal, dhe është fantastike ajo çka del në fund si rezultat.

A mund të na përshkruash një ditë tënden normale të punës…

Për dallim prej asaj që mund ta mendojnë plot njerëz, puna ime nuk është vetëm me një kamerë apo aparat në dorë. Kur nuk jam duke fotografuar bëj plot hulumtim. Inspirimi është vazhdimësi: duke shikuar art, ekspozita, duke lexuar libra për antropologjinë. Kinematografia është poashtu një burim konstant i inspirimit, dhe kur nuk dal i kaloj mbrëmjet duke shikuar një përzgjedhje të kujdesshme të filmave nga MUBI, nga Godarti deri te David Lynch, nga Pasolini tek Almodovar. Arti i Shtatë është babai i fotografisë. Të dyja tregojnë rrëfime, definojnë karaktere, të vërteta apo të trilluara. Vetëm elementi i përkohshëm ndryshon: numri i kuadrave që të lejohet t’i bësh.

Poashtu, në ditët e mia kur nuk jam duke fotografuar, krijoj kollazhe dhe plane për sesionet e ardhshme fotografike, merrem me përpunimin e atyre të kaluarave, e mbledhi ekipin tim që të jetë gjithçka gati, kërkoj lokacionet e ndryshme, i lexoj blogjet e mia të preferuara të fotografëve, laj filma në laborator ose kaloj kohë në darkroom – dhomën e zezë, skenoj negativët dhe i përpunoj derisa fotografitë të marrin ngjyrimin definitiv.

Kur kam një sesion të fotografisë – kur është produksion i madh – duhet të jem në set shumë herët, sepse puna e shumë prej njerëzve aty varet prej meje. Këto janë ditë që zgjasin goxha, ndonjëherë dijnë të jenë ditë që kërkojnë shumë, njëjtë sikur të isha me vetëm një modele a model në sheshin e fotografimit.

Në çka po punon momentalisht Rinaldo?

Momentalisht po punoj në një projekt fotografik artistik në Qytetin e Meksikës. S’po zbuloj më shumë.

Dhe krejt në fund, një mesazh i Rinaldos për fotografët sidomos shqiptarë…

Po. Fotografoni dhe vetëm fotografoni, kësisoj do ta gjeni e ndërtoni stilin tuaj. Dilni jashtë kutive, mos jeni të turpshëm (gjyshja ime thotë se turpi është për ata që bëjnë gjëra të këqija), sfidojeni veten dhe ata që i keni përreth, mos e kufizoni veten prej frikës së do të gjykoheni. Artisti duhet të dalë jashtë zonës së rahatisë. Vazhdoni, duhet rrezikuar, duhet dedikuar tërë energjinë tuaj në këtë rrugëtim që nuk është i lehtë. E zbuloni edhe veten më vonë, përdoreni median sociale për tu ekspozuar, mos u krahasoni me të tjerët, të gjithë e kemi një rrugë për ta përcjellur. Shikoni filma të mirë, shkoni në ekspozita që janë të arrira, nëse s`mundeni, gjeni art të mirë në internet.

Sytë na lodhen prej realitetit përreth, duhet të udhëtojmë për të freskuar ata, vizionin. Udhëtoni sa më shumë që mundeni.

“Be yourself; everyone else is already taken.” Oscar Wilde

Punën e Rinaldos mund ta shihni në Instagram@rinaldosata dhe në www.rinaldosata.com