Ribashkimi i çifteve të ndarë prej COVID-it

0
68

Vazhdimi i kufizimeve të udhëtimit dhe mbyllja e kufijve kanë ndarë shumë çifte të pamartuar. Por lëvizja “Dashuria nuk është turizëm” po shpreson t’i rikthejë çiftet përsëri bashkë.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës Karina Bafradzhian njofton.

Që nga mesi i marsit, mijëra çifte të pamartuara ndërkombëtare janë bërë pjesë e lëvizjes “Dashuria nuk është turizëm”.

Ata kanë nënshkruar peticione me shpresën që t’i bindin qeveritë t’i lejojnë të takohen përsëri me të dashurit e tyre.

“Lëvizja filloi në Danimarkë. Ata filluan të organizohen qysh para majit. Familjet dhe partnerët në Danimarkë u mblodhën së bashku dhe krijuan një hashtag, duke i kërkuar qeverisë së tyre të miratonte një ligj për të dashurit. Ata ishin në gjendje ta zbatonin atë ligj, apo ta shpallnin atë më 19 qershor 2020. Në Shtetet e Bashkuara, për fat të keq, nuk kemi marrë shumë përgjigje – asgjë si në Evropë”, thotë Krishni Metivier, përfaqësuese e lëvizjes në Shtetet e Bashkuara.

Ligje të ngjashme u zbatuan në vendet e tjera evropiane – përfshirë Norvegjinë, Hollandën, Republikën Çeke dhe Austri.

Në pjesë të tjera të botës situata është më e ndërlikuar.

Amerikanja Elizabeth Thorn dhe kolumbiani Mario kanë qënë në lidhje për disa vjet. Por për shkak të pandemisë ata nuk e kanë parë njëri-tjetrin për më shumë se gjashtë muaj. Kufizimet e rrepta të udhëtimit në Kolumbi nuk lejojnë që ata të takohen as në një vend të tretë. Për të shmangur këto probleme në të ardhmen, ata kanë vendosur të martohen.

“…Për shkak se nuk jemi të martuar, në këtë moment po mundohemi të martohemi pasi është e vetmja gjë që mund të bëjmë ndërsa jemi të ndarë. Është shekulli i 21-të, njerëzit që nuk janë të martuar s’kanë pse të detyrohen të krijojnë familje – është një koncept shumë i vjetëruar!”, thotë Elizabeth.

Bllokimet dhe kufizimet e udhëtimit kanë krijuar shumë sfida për çiftet e pamartuara.

Në disa raste, edhe çiftet e pamartuara me fëmijë nuk mund të jenë bashkë.

Por anëtarët e lëvizjes “Dashuria nuk është turizëm” thonë se do të ndjekin rregullat nëse lejohen të jenë së bashku.

“Ne duam të ndjekim rregullat, ne jemi mëse të gatshëm të paguajmë vetë për testet e koronavirusit, jemi të gatshëm për karantinë, jemi të gatshëm të vëmë maska, edhe pse në Shtetet e Bashkuara kemi parë disa reagime kundër maskave, ne nuk e kemi problem. Ne jemi të gatshëm të respektojmë distancën fizike! Thjesht kemi nevojë për një zgjidhje!”, thotë Krishni Metivier.

Falë COVID-it dhe distancës fizike edhe çifte që jetojnë në të njëjtin qytet janë bërë partnerë në distancë. Por psikologët thonë se është e mundur që marrëdhënia të ruhet.

“Mund ta përballoni ndarjen gjatë këtyre kohërave duke qëndruar të fortë, duke qënë të vërtetë dhe duke thënë – edhe pse nuk e shoh partnerin fizikisht, nuk mund ta përqafoj, ta prek, ta përkëdhel – mund të jem e lidhur me të emocionalisht!”, thotë psikologia Carla Marie Manly.

Pikërisht këtë janë përpjekur të bëjnë gjatë muave të fundit amerikania Susan Parker dhe i fejuari i saj Egbert nga Hollanda. Ata flasin me njëri-tjetrin çdo ditë dhe ëndërrojnë për martesën e tyre të ardhshme. Çifti u takua dimrin e kaluar dhe po planifikonin të martoheshin – derisa ndodhi COVID-19.

“Thjesht nuk dija çfarë të bëja! Dhe jo shumë kohë më parë, një fqinji im pa një artikull në gazetën Nju Jork Tajms që fliste për grupin, “Dashuria nuk është Turizëm, dhe mendova me vete – kjo e përshkruan në mënyrë të përsosur situatën!”

Suzana dhe Egberti janë mes fatlumëve – më 27 korrik, Holanda lejoi udhëtimin për shtetasit e huaj që janë në marrëdhënie me qytetarë holandezë. Kështu që çifti mund të vazhdojë planet e dasmës, më në fund pranë njëri-tjetrit./