Ramë Lahaj vjen me koncert madhështor në Prishtinë

Tenori me famë botërore, Ramë Lahaj, ka mbajtur një konferencë për media një ditë para koncertit që do ta mbajë në Prishtinë.

Ai tha se ka qenë një dëshirë e kamotshme e tij për të performuar në kryeqytet dhe se një koncert të madh ia kishte borxh Prishtinës.

“Kam qenë në Prishtinë vitin e kaluar në koncertin e zonjës Apostolova dhe e kam parë që Prishtinës ia kam pasë borxh një koncert të madh. Edhe mua mu plotësua dëshira sepse e kam ndjerë si borxh”.

“Si fillim ju them se jam pak më mirë, sepse kam qenë keq me shëndet. Jam jashtëzakonisht i nderuar që kam pasë mundësi të vijë në Prishtinë bashkë me kolegët e mi duke e pa axhendën e ngarkuar dhe është kohë pushimesh – koha e vetme kur ne pushojmë gjatë tërë vitit. Gjithsesi dikush i ka shtyrë pushimet si maestro Davidi dhe Kirili, të cilit i falënderoj”.

Lahaj ka treguar edhe për laramaninë e performancave të tij që ka zgjedhur për audiencën shqiptare.

“Kam provuar të bëj një laramani të programit duke pasur parasysh që audienca jonë është relativisht e re në muzikën serioze. Kjo për arsye s’kemi një teatër të mirëfilltë dhe sallë koncertesh”.

“Kam provuar t’i përzgjedh disa vepra më popullore për një audiencë shqiptare dhe këtu janë edhe disa këngë shqiptare”.

Tenori nga Istogu tha se pjesëmarrja nuk është me rëndësi sa është tradita që do të krijojë ky koncert.

“Nuk e kam frikë shumë numrin e audiencës. Është e rëndësishme që ne si vend të krijojmë një traditë dhe të mos ketë më vetëm tarabuka në sheshin e Prishtinës. Sot ka më pak, nesër do të ketë më shumë dhe kjo është ajo që më gëzon mua”.

“Duke pasë eksperiencë kur kam ndjekur disa koncerte të Filharmonisë së Kosovës e kam parë sallën me plot njerëz që rrinë në këmbë. Unë them se nuk ka të bëjë me shijen por me infrastrukturën. Është e pabesueshme që edhe 20 vjet pas luftës përballemi me mungesën e një salle. Le të quhet Sallë e Kulturës apo çfarëdo emri, por neve na duhet një sallë koncertesh dhe mungesa e saj është e papranueshme”.

Lahaj tha se organizimi nuk ka qenë i lehtë në kohë pushimesh.