Ramadani: Rastet e infektimeve u rritën për 27%, vdekjet u shtuan për 40% në dy javë

0
76

Në mbledhjen e Komitetit për vlerësim të situatës epidemiologjike, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), Naser Ramadani tregon se ka rritje të rasteve me COVID-19 për rreth 27 për qind, ndërsa mesatarja e vdekshmërisë ka rritje 40 për qind në krahasim me dy javët paraprake.

“Numri mesatar i rasteve ditore në këto dy javë ishte 619 në krahasim me dy javët paraprake që ishte 448 raste. Numri i rasteve mesatare të vdekjeve ditore ishte 6, në krahasim me dy javët paraprake që ishte 5”.

Ai thotë se nga 8 shkurti i vitit të kaluar, kur është filluar me testimin e rasteve të dyshimta në Kosovë deri më sot janë testuar rreth 376 mijë persona apo 21% e popullatës së përgjithshme të Kosovës.

“Kjo është bërë për të gjurmuar rastet në terren”, deklaroi Drejtori i IKSHPK, përcjell Telegrafi.

Ramadani ka thënë se sistemi shëndetësorë duhet të ruhet nga kolapsi duke bërë kohë pas kohe analiza.

Ai ka thënë se qytetarët duhet t’iu përmbahen rekomandimeve në mënyrë që sipas tij “për shkak të disave të mos e pësojnë të gjithë”.

“Ne po shkojmë drejt normalitetit, por ky normalitet nënkupton respektimin e tri rregullave kyçe”.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës ka thënë se ky institucion do të vazhdon të mbështesë institucionet shëndetësore dhe qeverinë në luftën kundër coronavirusit.