Qytetarët nga diaspora me vendbanim në Kosovë nuk i nënshtrohen testit PCR

0
86

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Shëndetësisë njoftojnë qytetarët tanë nga diaspora, të cilët kanë marrë rrugën për Kosovë, për të kaluar pushimet, se nuk kanë nevojë t’i nënshtrohen testit PCR.

Qytetarët nga diaspora mund të hyjnë brenda territorit të Kosovës pa qenë të obliguar që të testohen dhe të kenë një test PCR negativ. Përjashtim bëjnë vetëm ata që nuk kanë vendbanim në Kosovë dhe të cilët vijnë nga vendet e klasifikuara me “rrezik të lartë” sipas klasifikimit që bën Qendra Evropiane për Prandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjes (ECDC).

MPJD dhe MSH bëjnë me dije se asnjë qytetar i Kosovës që vjen në Kosovë, me apo pa PCR test, nuk i nënshtrohet kurrëfarë karantine apo izolimi 14 ditorë.

Ndërsa ata që vijnë në Kosovë nga shtetet e klasifikuara me rrezik të lartë dhe që nuk kanë vendbanim në Kosovë, duhet të qëndrojnë për shtatë (7) ditë në vetëizolim, si masë parandalimi kundër përhapjes së virusit.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bashkë me institucionet tjera përgjegjëse do t’ju mbajnë të informuar për secilin vendim dhe masë që do të ndërmerret në kuadër të luftës kundër Covid 19. Andaj, kërkojmë nga qytetarët tanë nga diaspora që të informohen vetëm në rrugë zyrtare për cilindo shqetësim që kanë.

Siç iu kemi njoftuar ditë më parë, ambasadat e Kosovës janë në gjendje gatishmërie në këtë periudhë të ndieshme për t’iu përgjigjur thirrjes për informacion apo ndihmë të secilit shtetas të Republikës së Kosovës.

Duke qenë se e gjithë bota po kalon një periudhë vërtetë sfiduese shkaku i pandemisë Covid 19, ne shfytëzojmë rastin që t’iu bëjmë thirrje qytetarëve tanë nga diaspora që kanë marrë rrugën për vendlindje, që kudo që janë t’i respektojnë në përpikmëri masat anti-covid, për të mbojtur vetën dhe familjarët që po i presin në Kosovë.