QKUK pranon një donacion tjetër nga shteti italian

0
61

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka pranuar donacionin e radhës, reagent për Laboratorin e Mikrobiologjisë në Klinikën Infektive, i ndërtuar me fondet e projektit “Mbështetje për Sistemin Shëndetësor të Kosovës”, nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AIC).
Donacioni, i cili kap vlerën e 55 mijë eurove, është dorëzuar sot nga ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha se pas përfundimit të disa formaliteteve, Laboratori i Mikrobiologjisë do të fillojë punën shumë shpejt.
“Ne e njoftuam ambasadorin dhe ministrin për planet tona. Kanë mbetur edhe disa çështje pa u zgjidhur për fillimin e punës: statuti juridik i laboratorit, plotësimi me laborantë, që pritet të bëhet brenda 10 ditëve të fundit. Kështu që, brenda dy javëve planifikojmë të fillojmë punën në laborator”, tha Krasniqi.
Pasi ka falënderuar shtetin italian për ndihmën e vazhdueshme, sidomos gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, bëri thirrje edhe njëherë për kujdes të shtuar.
“Le të jetë mesazh kjo ndihmë e miqve dhe partnerëve tanë, që ne duhet të vazhdojmë me kujdesin, duhet të vazhdojmë me rritjen e kujdesit këto ditë. Nuk duhet të kalojmë në nivel të mos disiplinës dhe ta rëndojmë punën e profesionistëve shëndetësorë. Ta mbajmë maskën, higjienën dhe shumë më pak apo fare nuk do kemi nevojë që aparaturat e reja të përdoren në masë të madhe”, theksoi Zemaj.
Ambasadori italian, Nicola Orlando, ndërkohë, përgëzoi institucionet e Kosovës për menaxhimin e pandemisë deri tash, gjersa u shpreh i bindur se laboratori i ri do t’i ndihmojë shumë institucionet shëndetësore në ofrimin e shërbimeve për pacientët.
Laboratori i Mikrobiologjisë është inauguruar më 20 shkurt të këtij viti dhe kap vlerën e më shumë se 203 mijë eurove.