Qipro, Greqia dhe Izraeli ndërtojnë gazsjellësin “East Med”

Qipro, Greqia dhe Izraeli kërkojnë të nënshkruajnë këtë vit një marrëveshje ndërqeveritare për të përparuar në projektin e gazsjellësit “East Med” që mundëson transportimin e gazit natyror në juglindje të Mesdheut drejt Evropës.

“Ndërtimi i këtij gazsjellësi do të kontribuojë të sigurojë burimet tona energjetike dhe ato të Evropës”, deklaroi sot presidenti qipriot, Nicos Anastasiades pas një samiti me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe atë grek, Aleksis Cipras në Nikosi.

“Ne jemi të angazhuar që të punojmë me vendosmëri për të nënshkruar një marrëveshje ndërqeveritare në vitin 2018”, shtoi ai.

Kryeministri izraelit vlerësoi se “tre vendet po bëjnë përpjekje serioze për të ndërtuar këtë gazsjellës”.

Me një vlerë prej rreth 5,8 miliardë eurosh, “East Med” pritet të transportojë drejt Evropës gazin e zbuluar përgjatë brigjeve qipriote dhe izraelite, duke reduktuar kështu varësinë e kontinentit për energji nga Rusia.