Qeveria holandeze jep dorëheqjen pas skandalit: 20,000 familje u akuzuan padrejtësisht

0
576

Qeveria holandeze ka dhënë dorëheqjen pas një skandali të përshkallëzuar që lidhej me përfitimet e fëmijëve nga ku më shumë se 20,000 familje u akuzuan gabimisht nga autoriteti tatimor se kishin mashtruar në lidhje me të.

Gjatë skandalit, rreth 10,000 familjeve në Hollandë iu kërkua të paguanin mijëra euro subvencione pasi u akuzuan gabimisht se kishin mashtruar në lidhje me mirëqënien e fëmijëve të tyre.

Shënim: “Përfitimet e fëmijëve” nënkupton një pagesë sociale mujore nga shteti që iu jepet prindërve apo kujdestarëve të fëmijëve për të përballuar kostot e rritjes së tyre. Vende të ndryshme operojnë në versione të ndryshme të këtij programi. Në pjesën më të madhe të vendeve, kjo pagesë varet zakonisht nga numri i fëmijëve që familja ka.

Vendimi i dorëheqjes erdhi rreth 1 muaj para se parlamenti të shpërbëhej, para zgjedhjeve të përgjithshme, të skeduluara në 17 mars. Kabineti i kryeministrit Mark Rutte do të qëndrojë në detyrë derisa një tjetër koalicion të zgjidhet pas votimeve.

“Qeveria nuk ishte në nivelin e duhur gjatë kësaj çështjeje. U bënë gabime në çdo nivel të shtetit dhe si rezultat ishte padrejtësia e tmerrshme që iu bë mijëra prindërve. Përgjegjësia politike për këtë skandal bie mbi kabinetin aktual, i cili nuk ka asgjë zgjidhje tjetër veç largimit. Nuk duhet lejuar më kurrë që gjërat të shkojnë kaq keq.”- u shpreh kreu i vendit.

Kryeministri hollandez, i cili ka drejtuar tre mandate që nga 2010 tha se qeveria do të vijojë të menaxhojë në mënyrë aktive krizën në vend si pasojë e koronavirusit. Aktualisht, vendi është në karantinë të plotë deri në 9 shkurt.

Rreth 26,000 prindër u akuzuan pa të drejtë nga autoritetet tatimore në Hollandë, duke pretenduar se kishin mashtruar në lidhje me përfitimet e fëmijëve të tyre për disa vite, duke nisur që nga 2012. Diçka e tillë ka bërë që ndër vite, familjet e akuzuara, të detyruara për të shlyer mijëra euro të përfundojnë në divorc, papunësi apo falimentim të ekonomisë së tyre.

20-të nga familjet e përfshira në këtë skandal kanë marrë masa ligjore kundër autoriteteve dhe ministrave përkatës, duke pretenduar se kjo që kanë bërë ndaj tyre është neglizhencë kriminale, diskriminim racor dhe shkelje e të drejtave të fëmijëve.

Burimi: The Guardian