Qeveria e re e Kosovës mbajti mbledhjen e parë solemne

0
63

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, ka zhvilluar mbledhjen e parë ceremoniale pas marrjes së detyrës.

Kryeministri Hoti e ka përshëndetur kabinetin qeveritar dhe ka uruar punë të mbarë, duke theksuar objektivat kryesore të Qeverisë së re, siç janë: luftimi i pandemisë COVID-19; rimëkëmbja ekonomike, forcimi i shtetit ligjor, mirëmbajtja e partneritetit me miqtë ndërkombëtarë; dialogu; arsimi dhe shëndetësia.

Kryeministri Avdullah Hoti ka shprehur angazhimin se do të instalohet një diskurs i ri i komunikimit dhe bashkëpunimit me të gjithë aktorët në realizimin e objektivave në të mirë të vendit.

Në vijim fjala e plotë e Kryeministrit Avdullah Hoti para kabinetit qeveritar:

Të nderuar zëvendëskryeministra,

Të nderuar ministra,

Të gjithë ju të pranishëm,

Më lejoni që të hap mbledhjen e parë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me urimin për secilin për ju veç e veç, t’ju uroj një punë të mbarë për sfidat që na presin si Qeveri e re. Dëshiroj ta filloj këtë mbledhje të parë me një falënderim të veçantë për stafin mjekësor, ashtu siç e kam thënë dje edhe në ekspozenë tonë programore në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilët treguan profesionalizëm të lartë në menaxhimin e situatës me pandeminë globale COVID-19.

Dëshiroj të përmend në veçanti zyrtarët policorë që kanë qenë në krye të detyrës, stafin administrativ qendror dhe në nivel komunal, bizneset private që kanë bërë të pamundurën për të ofruar shërbime për qytetarët gjatë kësaj periudhe, ndërmarrjet publike që kanë pasur vështirësi, por kanë arritur të ofrojnë shërbimet bazike për qytetarët e vendit.

Dëshiroj në veçanti të shpreh ngushëllime për familjet e viktimave që janë prekur nga kjo pandemi. Ne do t’u qëndrojmë afër tyre gjatë gjithë kohës.

Qeveria e re ka për obligim që t’i japë frymë demokracisë sonë të brendshme në respektim të rendit dhe ligjit dhe t’i nënshtrohet vetëm Kushtetutës së vendit.

Do të punojmë bashkë për realizimin e një programi qeverisës mes të gjithë partnerëve të këtij koalicioni duke qenë llogaridhënës para të gjithë deputetëve të Kosovës, pozitë dhe opozitë, duke vendosur një diskurs të ri në skenën politike në vend.

Është një program ambicioz, për të cilin ne e jemi dakorduar së bashku në javët e fundit. Unë besoj në atë program, unë besoj në këtë ekip të shkëlqyeshme nga partnerët e koalicionit, që kanë ofruar ministra e zëvendëskryeministra me ekspertizë në fushën e tyre.

Kemi ndërtuar pritjet te qytetarët e vendit dhe do t’u dalim zot pritjeve të qytetarëve. Duhet t’i adresojmë menjëherë sfidat duke filluar nga pandemia, nga çështjet e rimëkëmbjes ekonomike, ku kemi një program siç e kam prezantuar dje në ekspoze dhe do ta miratojmë së shpejti në program qeverisës këtu në Qeveri, një program shumë voluminoz, të pasur, detal, për rimëkëmbjen ekonomike për t’u mundësuar bizneseve dhe familjeve e qytetarëve të vendit që sa më lehtë ta tejkalojmë këtë krizë të paprecedentë ndonjëherë në historinë e re të Kosovës dhe në mbarë botës.

Do të ndërtojmë një diskurs tjetër siç e thashë më herët, edhe brenda Qeverisë, brenda këtij koalicioni qeverisës edhe në komunikim me opozitën, edhe në komunikim me shoqërinë civile, edhe në komunikim me mediat, duke ofruar transparencë të plotë me mënyrën se si qeveriset.

Do t’i kthehemi punës e jo retorikës së përditshme, që të mos i mundojmë qytetarët me retorikë, por duke iu ofruar punë të përditshme për të përmirësuar jetën e tyre, por duke qenë të hapur vazhdimisht që të marrim vërejtje, të marrim kritika, të marrim sugjerimet e tyre, të ndërtojmë kohezionin shoqëror që i ka munguar Kosovës tash e një kohë për të punuar së bashku në interes të shtetit të Kosovës, normalisht duke i duruar sigurisht edhe konkurrencën e brendshme politike që është më se normale në një shtet demokratik.

Prioritetet tona janë përveç luftës kundër kësaj pandemie dhe rimëkëmbjes ekonomike, forcimi i shtetit ligjor, fuqizimi i miqësive tona me partnerët tanë ndërkombëtarë, marrja përsipër në baza kushtetuese të procesit të dialogut, adresimi i nevojave në arsim dhe në shëndetësi, në arsim në veçanti, duke pasur parasysh kushtet që janë krijuar tash, për shkak të pandemisë dhe në veçanti te shëndetësia për të krijuar kapacitete afatgjate të sistemit tonë shëndetësor për të përballuar situatën me pandemi, por edhe në fusha të tjera. Përveç rimëkëmbjes ekonomike një program shumë i pasur i zhvillimit ekonomik nëpër sektorë të ndryshëm.

Kjo Qeveri, ndoshta për herë të parë, do të ketë një program që gati në secilin prej elementeve të tij, merr parasysh nevojat që kanë grupet e caktuara të shoqërisë në Kosovë që janë më pak të favorizuara, nevojat që në veçanti i kanë komunitetet, edhe për përfshirjen më të mirë në arsim, edhe për shërbime shëndetësore më të mira edhe për përfshirje më të mirë dhe më të lartë nëpër institucione përkatëse. Në këtë drejtim, unë pres bashkëpunimin e ngushtë nga secili prej jush, edhe brenda Qeverisë, edhe me opozitën në Kuvend, edhe me shoqërinë, mediat dhe më të gjithë.

Ju falënderoj edhe një herë të gjithëve! Ju uroj punë të mbarë secilit nga ju. Pres që shpejt të merrni detyrat tuaja dhe do të pranoni agjendën për mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.

Faleminderit, na priftë e mbarë të gjithëve!