Qeveria e Malajzisë ndihmon Kosovën në luftimin e COVID-19 me donacion prej një milion maska dhe 30 mijë dorëza

0
70

Pas videokonferencës që kishte zhvilluar me homologun e Malajzisë, Hishammuddin Tun Hussein, me datë 6 korrik, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, znj. Meliza Haradinaj – Stublla është njoftuar se Qeveria e Malajzisë ka vendosur t’i dërgojë Republikës së Kosovës ndihmë anti-COVID19, donacion prej 1 milion maska dhe 30,000 dorëza, të cilat do të arrijnë ditëve në vijim në Kosovë.

“Falënderoj përzemërsisht Ministrin e Jashtëm të Malajzisë, Hishammuddin Tun Hussein, Qeverinë dhe popullin malajzias, të cilët edhepse në distancë fizike me Kosovën, nga Azia Juglindore solidarizohen dhe i vihen në ndihmë Kosovës dhe gjendjes së rëndë pandemike nëpër të cilën po kalojmë”, ka thënë Ministrja Haradinaj – Stublla, duke shkruar “Faleminderit!” në gjuhën e popullit mik, “Terima Kasih!”.

Në takimin virtual që kishin zhvilluar në muajin korrik, Ministrja Haradinaj – Stublla dhe Ministri Hussein ishin dakorduar për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral midis dy vendeve, sidomos në aspektin politik dhe ekonomik, si dhe në menaxhimin e gjendjes së vështirësuar nga pandemia COVID-19.