Qeveria britanike: Punëtorët e pakualifikuar s’mund të marrin viza

0
80

Punëtorët të cilët janë të pakualifikuar nuk do të mund të marrin viza sipas planit të prezantuar nga Qeveria britanike, pas largimit të këtij shteti nga Bashkimi Evropian më 31 janar.

Qytetarët e Bashkimit Evropian dhe ata që nuk i përkasin BE-së, do të trajtohen në mënyrë të barabartë në Britani, pasi të përfundojë periudha transitore mes këtij shteti dhe bllokut evropian më 31 dhjetor të këtij viti, thuhet sipas zyrës për të huaj.

Sekretarja e Brendshme britanike, Priti Patel, ka thënë se sistemi i ri ka të bëjë me dërgimin “e me të mirëve” në Britani.

Ajo ka thënë për BBC-në se qeveria dëshiron “të inkurajojë ardhjen e njerëzve me talent” dhe të “zvogëlojë shifrat e njerëzve që arrijnë në Britani të pakualifikuar”.

Ajo ka thënë se sistemi dëshiron “të sigurojë që Britania të ketë njerëz të talentuar dhe produktivë në të ardhmen”.

Qeveria, e cila ka thënë se synon të ulë numrin e migrantëve në Britani, ka thënë se dëshiron të krijojë sistem të imigrimit “të bazuar në pikë”, siç edhe kishte premtuar gjatë zgjedhjeve.

Sipas kësaj skeme, punëtorët që dëshirojnë të punojnë në Britani, duhet të flasin gjuhën angleze dhe të kenë ofertë për një punë me “sponsor të miratuar”.