Qeveria autorizon ministrin e Shëndetësisë që të nxjerr vendime për parandalimin e pandemisë

Në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë është zhvilluar mbledhja korresponduese, (mbledhje elektronike) e Qeverisë në detyrë, e 24-ta me radhë, e drejtuar nga Kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Në mbledhje është shqyrtuar dhe miratuar Vendimi sipas të cilit autorizohet ministri i Ministrisë së Shëndetësisë që të nxjerrë vendime me qëllim të parandalimit dhe luftimit të përhapjes së sëmundjes COVID-19. Vendimet do të jenë në funksion të zbatimit të dispozitave të Ligjit për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse.


Ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, sipas rekomandimeve të njësive përkatëse profesionale dhe në konsultim me Komunat respektive do ta përcaktojë orarin e lëvizjes ose ndalimit të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve, si dhe të bëjë përjashtime të orarit të kufizimeve të përcaktuara në Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 02/17 të datës 27.03.2020.


Vendimi i miratuar sot nga Qeveria e Republikës së Kosovës ka për qëllim racionalizimin e kohës në procesin e marrjes së vendimeve, në funksion të parandalimit dhe luftimit të përhapjes së epidemisë COVID-19. Vendimi mbështetet në dispozitat ligjore të Ligjit për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse si dhe duke u bazuar në konstatimet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. KO54/20.