Qendra e skijimit në Brezovicë tani e hapur për vizitorët

0
83

Është hapur dje Qendra e skijimit në Brezovicë. Vendimi për hapjen e qendrës erdhi pas raportit të Brigadës së Mbështetjes së Operacioneve të Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, ku është vlerësuar se aktualisht nuk ka rrezik për paraqitjen e ortekëve në zonën e skijimit në Brezovicë, përcjell OxygenPress.

Në raport thuhet mes tjerash se “Aktualisht bora është ngjeshur dhe lagur në sasi të konsiderueshme dhe mundësia e lëshimit të saj për të krijuar ortek është e vogël”, njofton AKMM.

Megjithatë raporti vlerëson se në terenet malore të Brezovicës ku kushtet klimatike janë vazhdimisht të ndryshueshme, nuk mund të përjashtohet mundësia e paraqitjes së sërishme të ortekëve në të ardhmen.

Zona e Brezovicës ishte vlerësuar me rrezik të mesëm për krijimin e ortekut pas incidentit që ndodhi javën e kaluar. Për të larguar rrezikun nga paraqitja e ortekëve të mundshme, njësitet e specializuara të Brigadës së Mbështetjes së Operacioneve të Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, gjatë kësaj jave kanë bërë shpërthimin dhe neutralizimin e dy ortekëve të mundshëm.

“Me qëllim të parandalimit të rreziqeve të mundshme në zonën e Brezovicës në të ardhmen, AMMK ka kërkuar nga FSK që të vendosë një njësit permanent të kërkim shpëtimit në qendër gjatë kohës së vizitorëve dhe funksionimit të ski-liftit. MMK, ka kërkuar po ashtu që të bëhet edhe një vlerësim i gjendjes së ski-liftit për rrezikshmërinë qe mundë të paraqes ai gjatë shfrytëzimit”, thuhet në njoftimin e AMMK-së./OxygenPress.info