Pse u shkarkua drejtori i AKI-së?

0
205

Avokati Besnik Berisha, e ka quajtur të vonuar veprimin e Kryeministrit Avdullah Hoti për shkarkimin e Kreshnik Gashit nga pozita e Drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës.

“Është veprim i ligjshëm, pak i vonuar sepse kryeministri apo kushdo që e ka miratuar do të duhej të vepronte qysh ditën e parë për shkak se ka pasë qasje të pa autorizuar në kasafortën në Presidencë”, është shprehur Berisha, njofton Klan Kosova.

“Arsyeja kryekëput është mungesa e veprimeve të ligjshme në funksionin e tij si drejtor. Janë veprime të paligjshme që cenojnë besimin e këtij institucioni. Akoma më tepër shqetësues është lajmi për një bastisje. Gashi nuk është viktimë e shkarkimit politik, apo linçimi ose jopreference që kanë urdhëruar lirimin e tij nga detyra”.

Berisha në Rubikon ka potencuar se Gashi është viktimë e veprimeve të tij.

“Bëhet fjalë për dështimin për të menaxhuar me agjencinë që është institucion vital dhe i respektuar, ose do të duhej të ishte më i respektuar se Policia e Kosovës. Nga përvoja ime, shefat e AKI-së janë parë si individë që duhet t’i shërbenin sigurisë së përgjithshme jo partive që i kanë emëruar”.

“Shkarkimi nga detyra nuk lidhet me mënyrën si është emëruar por veprimet e tij dhe vartëse të tij”.

Për të gabimi më i vogël në këtë agjenci është i pafalshëm.

***

lajmi i mëparshëm

Kreu i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Kreshnik Gashi, është shkarkuar sot nga kjo pozitë.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Avdullah Hoti që njoftimin për shkarkimin e Gashit e bëri me vetëm një rresht të komunikatës.

Arsyet për shkarkimin e Gashit që është drejtori i pestë i AKI-së që nuk e ka çuar mandatin deri në fund, nuk u bënë të ditura por dyshimet lidhen me tentimin për hapjen e kasafortës në presidencë muajin e kaluar.

Kreshnik Gashi u emërua në pozitën e kreut të AKI-së në nëntor të 2019-ës nga ish-kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, ndërsa kishte pasuar Shpend Maxhunin, i cili ishte dorëhequr nga ky post, për arsyeje siç u tha shëndetësore.