PSE NJË SHOQËRI NUK SHEH DRITË ?

0
89

Nga Xhabir Hamiti

Janë shumë faktorë, të cilët një shoqëri e bëjnë që të mos shoh dritën e duhur dhe të mos përjetojë ditë të mira.
E para, dhe më e rëndësishmja është mosnjohja e vetvetës, e arsyes së frymimit dhe gjallërimit në tokë, si dhe mungesa e vizionit për të ardhmen e vet.
Për të arritur këtë vetëdije është vetëm një rrugë, edukimi dhe arsimimi i mirëfilltë. Përmes edukimit, individi arrin që të formohet për vetevten e vet në rend të parë, e pastaj të njëjten edukatë e vazhdon edhe me pasardhësit e tij, të cilët formojnë familjen e ngushtë dhe të gjerë, dhe si rrjedhojë edhe rrethin e gjerë shoqëror e kombëtar.
E dyta, sistemimi i njerëzve me përgjegjësi të lartë dhe me aftësi profesionale të merituara në pozita të rëndësishme të vendit.
Nuk mund të pritet asnjë punë dhe veprim i mbarë nga personi, i cili nuk ka aftësinë e kërkuar në kryerjen e përgjegjësisë, për të cilën është ngrakuar.
Gjysmë mësuesi krijon gjenerata gjysmake, gjysmë mjeshtëri e inxhinieri ndërton projekte gjysmake dhe të rrezikshme, gjysmë prijësi fetar krijon besimtarë gjysmakë, e kështu me radhë.
E treta, mosangazhimi dhe mos orientimi i forcave intelektuale, shoqërore dhe shtetërore në drejtim të interesit të përgjithshëm kolektiv. Asnjë shoqëri nuk mund të avancohet e të zhvillohet, përderisa mundi dhe djersa e saj nuk merr kahje të interesit gjithëpërfshirës.
E katërta, mungesa e dashurisë për vendin dhe atëdheun në të cilin ke lindur dhe në të cilin jeton dhe vepron. Kjo dashuri mund të kultivohet, vetëm përmes edukimit familjar, shkollor dhe shoqëror. Një individ i cili e donë vendin e vet dhe shoqërinë me të cilën ndanë të mirën dhe të keqen, asnjëherë nuk punon dhe nuk angazhohet në dëm të tij dhe të saj.
E pesta, mungesa e kornizës dhe strategjisë politike dhe ekonomike për vendin, pa të cilën nuk mund të ketë zhvillim dhe mirëqenie afatshkurtër dhe afatgjate të shoqërisë dhe shtetit.
E gjashta, dhënia pas luksit të tepëruar dhe shfrenimit moral. Shumë shoqëri kanë devijuar dhe kanë dështuar pikërishtë edhe për këtë arsye.
E shtata, pasurimi i padrejtë në kurrizë të të varfërit dhe të vobektit. Kjo tregon për humbjen e ndjenjes ndaj tjetërit dhe anashkalimit të pjesës shoqërore me të cilën jeton dhe vepron.
Etj.etj……