Pse Isak Njutoni është i dyti nga 100 personalitetet më të shquara të historisë

0
579

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit:

 

Nr II

ISAK NJUTONI

1642-1727

Natyra, ligjet e natyrës flenë në errësirë:

Tha Zoti:” Le të jetë Njutoni!” – dhe shkëlqeu drita

                 

                                                      Aleksandër Poup

 

Isak Njutoni, shkencëtari më i madh i kohërave, u lind në Vulstrop të Anglisë më 25 dhjetor të vitit 1642, në të njëjtin vit që vdiq Galileo Galilei. Që fëmijë, Njutoni tregoi interes për mekanikën, ishte i shkathët dhe shumë i etur për dije. Megjithëse i zgjuar, në shkollë nuk la ndonjë përshtypje të veçantë, si nxënës ishte i pavëmendshëm. Kur u rrit, e ëma u përpoq që ta çregjistronte nga shkolla ku studionte, me shpresë që të merrej me bujqësi, ku mendonte se do të ishte më i suksesshëm. Për fat, u zbulua që ishte me dhunti për punë të tjera, kështu, që në moshën 18 vjeç u regjistrua në Universitetin e Kembrixhit. Aty filluan të dalin në pah aftësitë e tij. Në vitet midis moshës 21 dhe 27 vjeç, Njutoni hodhi bazat themelore të teorisë shkencore, të cilat më vonë mundësuan shndërrime rrënjësore në botë. Shekulli XVII ishte koha kur shkenca mori hov të paparë.

Zbulimi i teleskopit në fillim të shekullit, ndryshoi dukshëm studimet astronomike. Filozofi anglez, Franc Bekon dhe shkencëtari francez, Rene Dekart u bënë thirrje shkencëtarëve të Evropës, që të mos mbështeteshin më në autoritetin e Aristotelit, por të fillonin kërkimet shkencore sipas përvojës vetjake. Njutoni i madh arriti të zbatojë në praktikë atë, për të cilën dyshonin Bekoni dhe Dekarti. Studimet e tyre për astronominë dhe shfrytëzimi i teleskopit sollën shndërrime thelbësore në këtë shkencë ; ndërsa eksperimentet e Njutonit në mekanikë e çuan atë në formulimin e ligjit të parë të tij  për lëvizjen.

Shkencëtarët të tjerë, si Uilliam Harvi (që zbuloi qarkullimin e gjakut) dhe Johanes Kepler (që formuloi ligjet për lëvizjen e planeteve rreth Diellit),gjithashtu sollën aspekte të reja informative në rrethet shkencore. Megjithatë, shkenca e pastër ende  ishte shqetësim për njerëzit që merreshin me punë mendore. Ende nuk kishte argumente për vërtetimin e hipotezës së Frenzis Bekonit, saktësia në teknikë munt t’i shndërrojë rrënjësisht kushtet reale të jetës së njerëzve.

Edhe pse Koperniku dhe Galilei hodhën poshtë disa nga arsyetimet e gabuara të shkencës antike, duke sjellë kështu një kuptim më të saktë për Gjithësinë, përsëri nuk ishin formuluar mire parimet, me anën e të cilave t’i bashkonin  të gjitha faktet në një teori të vetme, me qëllim që të realizoheshin parashikimet shkencore. Isak Njutoni, është ai që krijoi këtë teori dhe që vuri shkencën modern në rrugën që vazhdon edhe sot.

Njutoni nuk kishte dëshirë t’i shpallte rezultatet e punës së tij. Edhe pse në vitin 1669 formuloi idetë themelore të zbulimeve të tij. Edhe pse në  vitin 1669 formuloi idetë themelore të zbulimeve të  tij, një numër I madh I teorive të tyre u botuan shumë  më vonë. Botimi i parë i punës themelore shkencore të tij është për natyrën e dritës.

Pas një vargu eksperimentesh të menduara mire, Njutoni arriti të zbulonte përbërjen e dritës së bardhë të zakonshme nga të gjitha ngjyrat e Ylberit. Paralelisht, ai studio me themel ligjet e pasqyrimit dhe të përthyerjes së dritës. Kështu ,në vitin 1668, ai ndërtoi dhe vuri në praktikë teleskopin e pare me pasqyrë, teleskopin reflektar, që shfrytëzohet edhe sot në shumë observatorë astronomikë. Në moshën 29-vjeçare,këto zbulime bashkë me eksperimente të tjera për optikën i shpalli përpara Shoqatës Mbretërore Angleze.

Vetëm me anën e këtyre zbulimeve, ai siguronte vendin si personalitet i shquar i këtij rangu. Por, arritjet e tij  janë të shumta edhe në matematikën e pastër, dhe në mekanikë. Rreth moshës 23-24 vjeçare, arritja e tij kryesore në fushën e matematikës, ishte zbulimi i njehsimit integral. Kjo arritje, më e rëndësishmja e matematikës modern, nuk është vetëm bërthama nga ku lindi pjesa më e madhe e teorisë bashkëkohore të matematikës, por edhe një instrument i jashtëzakonshëm, pa të cilin, përparimi i shkencës bashkëkohore do të ishte i pamundur. Sikur asgjë tjetër  të mos zbulonte, mjaftonin vetëm llogaritjet integrale, do t’i siguronin atij një nga vendet kryesore në këtë libër.

Megjithatë, sukseset më të rëndësishme të Njutonit janë në fushën e shkencës mekanike, e cila sqaron lëvizjen e trupave materiale. Galilei zbuloi ligjin e pare të lëvizjes, ku sqarohet lëvizja e trupave në mungesë të veprimit të forcave të jashtme. Në praktikë, është e qartë se të gjitha trupat I nënshtrohen ndikimit të forcës e në thelb lind pyetja në mekanikë, se si lëvizin trupat nën veprimin e forcave të jashtme? Këtë problem e zgjidhi Njutoni me ligjin e tij të dytë për lëvizjen, që vlerësohet si ligji themelor i fizikës klasike. Ligji i dytë i Njutonit (formula matematike është F=ma) thotë:

Nxitimi i një trupi është i barabartë me forcën vepruese e pjesëtuar me masën e tij.

Duke u bazuar në këto dy ligje, Njutoni formuloi ligjin e tretë për lëvizjen, i cili thotë: në çdo bashkëveprim trupash, veprimi është i barabartë me kundërveprimin në drejtime të kundërta  si dhe ligjin e njohur për gravitacionin kozmik. Këto katër ligje, të marra së bashku, paraqesin sistemin e njëjtë, nëpërmjet të cilit të gjitha sistemet mekanike mikroskopike – nga lëvizjet e lavjerrësit deri në lëvizjen e planeteve sipas orbitave rreth Diellit mund të studiohen praktikisht dhe mund të parashikohen marrëdhëniet njëri me tjetrin. Njutoni, jo vetëm që formuloi ligjet themelore të mekanikës, por, duke shfrytëzuar llogaritjet intergrale, tregoi se si mund të zbatohen ato për zgjidhjen e problemeve të sotme.

Ligjet e Njutonit shfrytëzohen për zgjidhjen e një vargu të gjerë problemesh shkencore e teknike. Sa ishte gjallë ai, zbatimi  më dukshëm u krye në astronomi. Këtu, Njutoni zuri vend kryesor. Në vitin 1687,ai botoi veprën e njohur “Parimet matematike në filozofinë e natyrës” që shkurtimisht njihet me titullin “Parimet”. Në të janë përfshirë: Ligji i Gravitetit dhe ligjet për lëvizjen. Ai tregoi se si zbatohen ato për përcaktimin me saktësi të lëvizjes së planeteve rreth Diellit. Detyra themelore e astronomisë dinamike është, veçanërisht, parashikimi me përpikmëri i gjendjes dhe lëvizjes së yjeve dhe planeteve. Njutoni, me një të hequr vije, e zgjidhi shkëlqyeshëm këtë problem. Pikërisht, për këtë, të gjithë e vlerësojnë si astronomin më të madh.

Atëherë, cili është vlerësimi ynë për rëndësinë shkencore të Njutonit? Gjatë rishikimit të regjistrave të kujtdoqoftë enciklopedie shkencore për vlerësimin e shkencëtarëve, zbulojmë  se shumica (dy-tri here më shumë)janë vetëm për Njutonin, për ligjet dhe zbulimet e tij, sesa për ndonjë shkencëtar tjetër. Përveç kësaj, duhet kthyer vëmendja edhe nga vlerësimet, që kanë bërë shkencëtarë të tjerë për Njutonin: Shkencëtari gjerman Gotfrid Lajbnic (1646-1716), me të cilin ka patur mosmarrëveshje të thella, shkruan: “Po të marrim matematikën që nga krijimi e deri në kohën e Njutonit, pjesa më e madhe e saj është e Njutonit”. Shkencëtari i madh francez Pjer Laplas (1743-1827) ka nënvizuar se “Parimi” I kapërcen të gjitha veprat e tjera të njeriut gjeni. Matematikani i madh francez Lui Lagranzh (1736-813) përsëriste shpesh: “Njutoni është gjeniu më i madh që ka patur bota “ ndërsa Ernest Maks (1838-1916), fizikan austriak, në vitin 1901 ka shkruar:”¬Çdo gjë që është arritur pas kohë së tij, është deduktive, përpunim formal i matematikës në mekanikë në bazë të ligjeve të Njutonit “Arritja e madhe e Njutonit mund të shprehet kështu: Ai u mbështet në një shumicë faktesh të veçanta dhe ligjesh, të cilat mund të sqaronin disa shfaqje, por nuk ishin në gjendje të parashikonin asgjë. Shkencëtari na la të vetmin sistem ligjesh, që mund të zbatohen në një numër jashtëzakonisht të madh shfaqjesh fizike dhe që shërbejnë për parashikime të sakta.

Në këtë vështrim të shkurtë nuk është e mundur të sqarohen në mënyrë të hollësishme të gjitha zbulimet e Njutonit, prandaj, shumë prej tyre, megjithëse janë suksese të rëndësishme , do të lihen pas dore.

Njutoni dhe një ndihmesë  të fuqishme në termodinamikë(shkenca për ngrohtësinë) dhe në akustikë (shkenca për tingullin): ka formuluar në mënyrë të jashtëzakonshme parimin e rëndësishëm fizik të lëvizjes, forcës, veprimit dhe reaksionit: përgjithësoi binomin (binomi i Njutonit) në matematikë, zbuloi radhën e binomit të pafund dhe i pari sqaroi bindshëm prejardhjen e yjeve.

Kështu, mund të themi, se sido  që ta marrësh, Njutoni është shkencëtari më i madh dhe më i shquar i botës. Mund të bëhet pyetja se përse në këtë libër Njutoni vlerësohet më lart se disa figura politikanësh të njohur, siç janë: Aleksandri i Madh, apo Xhorxh Uashingtoni dhe para udhëheqësve të shquar fetarë, si Jezus Krishti dhe Buda? Pikëpamja jonë është se përballë rëndësisë së madhe të shndërrimeve politike, njerëzit në botë, pesë shekuj pas vdekjes së Aleksandrit, jetonin njësoj si stërgjyshërit e tyre pesë shekuj më pare. Sipas së njëjtës logjikë, jeta e njerëzve 1500 pas Krishtit ishte e njëjtë me atë të njerëzve që jetonin 1500 vjet para Krishtit. Ndërsa, në 500 vitet e fundit, me përhapjen e shkencës bashkëkohore, në të vërtetë, jeta e shumicës së njerëzve ka ndryshuar: Ne vishemi më ndryshe, hamë ushqim tjetër, punojmë në mënyrë tjetër, dhe kohën e lirë e kalojmë shumë më ndryshe nga njerëzit para pesë shekujsh. Zbulimet shkencore kanë sjellë ndryshime rrënjësore në teknikë dhe ekonomi, duke ia ndryshuar pamjen edhe politikës, fesë, krijimtarisë dhe filozofisë. Zbulimet shkencore, praktikisht ,luajnë një rol të madh në shndërrimin e shoqërisë dhe pikërisht për këtë arsye kanë zënë vend në këtë libër një numër kaq i madh shkencëtarësh dhe zbuluesish. Njutoni, si shkencëtari më i madh dhe figura më e shquar në zhvillimin e mendimit shkencor, e meriton plotësisht vendin në krye të çdo klasifikim për personalitetet më të shquara të botës.

Isak Njutoni vdiq në vitin 1727 dhe u varros në rrethinën e kryeministrisë, sepse ishte shkencëtari i parë, që e meritonte një nderim të tillë.

Në ditët në vijim sjellim të tretin me radhë, që është Jezusi./Oxygenpress.info