Pse është e rëndësishme mirësjellja?

0
1726

Trajtimi i temave mbi mirësjelljen është bërë urgjente në shoqërinë e sotme. Fatkeqësisht, shihet qartë një varfëri sa i përket praktikimit të saj në jetën e përditshme. Një gjë e tillë vërehet shpesh nga mënyra jonë e komunikimit, nga mënyra e përshëndetjes, nga përdorimi i fjalorit, nga përdorimi i telefonit, nga moskontrollimi i vetvetes, nga mënyra e shikimit të tjetrit, nga mënyra e të qeshurit, nga mënyra e të ecurit, nga qëndrimi që mbajmë, nga mënyra e të veshurit e nga çdo sjellje që praktikojmë përballë vetes e përballë tjetrit.

Jetojmë në një kohë ku gjithçka është bërë normale, gjithçka e lejueshme, e gjithçka e drejtë. E kështu të krijohet përshtypja se për mirësjelljen nuk ka më vend, nuk vlerësohet fare, e shpesh shihet si dobësi, ose si nuk është e kohës, “i ka dalë moda”. Pse vallë kaq varfëri në mirësjellje si ndaj vetes ashtu edhe përballë të tjerëve?! Pse kaq i varfër fjalori ynë sa u përket shprehjeve tëbukura dhe vlerësimeve pozitive?! Pse fjalët: faleminderit, të lutem, më fal, a ka mundësi, a mundem, kam nevojë…, më vjen keq, më fal për shqetësimin, nuk kanë vend në fjalorin dhe në komunikimin e përditshëm?! Pse këto fjalë u kërkohen vetëm fëmijëve?! Apo ndoshta këto janë fjalët që kanë ngelur vetëm në muret e kopshteve e shkollave e duken vetëm si pjesë e zbukurimit të tyre?! Pse kohën e fundit praktikohet një mënyrë komunikimi, si në të folur ashtu edhe në të shkruar, me shkurtim të fjalëve si flm,sps, klm, klb,…?!

Këto mënyra e shumë të tjera, fatkeqësisht, janë bërë pjesë e fjalorit të përditshëm, jo vetëm nga adoleshentët, por edhe nga pjesa tjetër e shoqërisë. (Mund të thuhet se ky është një fjalor i adoleshentëve. E nga kjo shihet qartë se në praktikimin e mirësjelljes kemi ngelur adoleshentë. Pranojmë çdo gjë pa arsyetuar fare.) Pse lejojmë të infektohemi me një fjalor të tillë që nuk përcjell asnjë mesazh dhe asnjë ndjenjë tek tjetri?! Pse i lejojmë vetes të biem pre e një fjalori të tillë dhe i zhvlerësojmë këto shprehje kaq të bukura e që përmbajnë një mesazh mjaft të fortë?! Është e nevojshme që të hyjmë në brendësinë tonë e t’ia drejtojmë vetes këto pyetje e shumë të tjera, dhe secili të mundohet të përgjigjet e të shohë veten se ku gjendet.

Nuk kërkohet që të jemi të përsosur, sepse askush mbi tokë nuk është dhe nuk ka mundësi të jetë i tillë, por kërkohet që të paktën të jemi të sjellshëm e ta praktikojmë e ta bëjmë çdo ditë të mirën. N.Steinhardt thotë: “Në rast se nuk mund të jemi të mirë, të përpiqemi së paku të jemi njerëz me sjellje të mira”. Me sjelljen tonë tregojmë veten tonë.

Pse është e rëndësishme mirësjellja?

Njeriu me anë të mirësjelljes shfaq formimin, edukimin, kulturën dhe tregon se kush është ai në të vërtetë. Është pikërisht mirësjellja ajo që na përfaqëson e madje mund të thuhet se mirësjellja është kartë identiteti në marrëdhënie me të tjerët. Ajo na ndihmon të jemi më miqësorë me njerëzit dhe mjedisin. Është një mundësi për t’i bërë të tjerët më të gëzuar e më të lumtur. Kjo kërkohet të jetë e pranishme gjithmonë, përballë të gjithë atyre që i takojmë në përditshmërinë tonë si dhe të jetë e vazhdueshme.

Mirësjellja nevojitet të bëhet një virtyt përballë vetvetes, familjes, shokëve, shoqeve, miqve, kolegëve, përballë të gjitha situatave, e përballë të gjithë njerëzve sepse vetëm kështu tregojmë se kush jemi. Carly thotë Njeriu i madh e tregon madhështinë e tij në mënyrën se si sillet me njerëzit e vegjël.” Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë dhe ndihmojmë botën që na rrethon. E ajo shfaqet përmes disa virtyteve si: respekti, falja, mirënjohja, ndershmëria, besnikëria e dashuria. E këto kërkojnë angazhim, praktikim, përmirësim të përditshëm e të vazhdueshëm. Mirësjellja është e rëndësishme për faktin se na ndihmon në krijimin e marrëdhënieve të reja, të mira e të jemi në harmoni me tjetrin. Ajo ka lindur për të lehtësuar bashkëjetesën me të tjerët dhe për të mos lënduar ndjeshmërinë e të tjerëve në mënyrë që ata të ndjehen mirë në shoqërinë tonë. Dikujt mund t’i shkojë mendja e të thotë se ne nuk jetojmë për tjetrin, por për vete. Është e vërtetë se ne jetojmë për vete, por kërkohet që të zgjedhim mënyrën se si të jetojmë mirë e në paqe me tjetrin. Nevojitet që të jemi të sjellshëm me të gjithë.

Në ditët në të cilat po jetojmë, shpenzohet shumë kohë për të mësuar shumë gjëra si: gjuhët të huaja, profesionet të ndryshme, përdorimi i teknologjisë, rëndësia e modës etj... Nga ana tjetër, sa pak kohë shpenzohet për të mësuar rreth etikës dhe mirësjelljes. E kur fillohet të flitet për varfërinë apo nevojën e mirësjelljes, menjëherë kemi tendencën të akuzojmë e fajësojmë të tjerët si: prindin, mësuesin, shtetin… E harrohet se askush nuk mund të vendosë për sjelljen tonë. Jam unë, je ti, jemi ne që vendosim për këtë gjë.

Mirësjellja kërkon praktikë sepse nuk mjafton vetëm të njihen gjërat, por kërkohet që të bëhen pjesë e jetës. Sepse të gjithë dinë të flasin për të e të kërkojnë nga të tjerët mirësjellje e përdorim të fjalëve magjike si edhe të mbajnë moral për të. Por nëse këto nuk janë të pranishme e nuk praktikohen tek vetë personi që i kërkon, aty nuk ka efekt fare morali që mbahet përballë të tjerëve. Sjellja e mirë kërkon praktikë e duke u praktikuar kthehet në shprehi e në vlerë. Përndryshe ngelin vetëm fjalë të bukura për veshin.

Erik Emerson thotë: “Sjellja e mirë përbëhet nga flijimet e vogla.”

Mësimi, edukimi i mirësjelljes nuk është i lehtë, por kërkon vullnet, dëshirë, përkushtim e qëndrueshmëri. Mirësjellja nuk kërkon shkollë të mesme, bachelor, master, doktoraturë, por mjafton vullneti, përkushtimi e qëllimi. Edukimi i mirësjelljes fillon që në familje e që në moshën fëmijërore. Mos të harrojmë e mos ta anashkalojmë se familja është ajo që e ka këtë përgjegjësi, e atëherë pa përjashtuar edhe institucionet e tjera të edukimit e pa përjashtuar edhe përgjegjësinë e vetë individit.

Mirësjellja kërkohet të praktikohet në çdo vend, përballë çdo personi e çdo situate, jo vetëm në vende të veçanta, jo vetëm kur vishemi me kollare ose kur vishemi me kostum sepse nuk na bëjnë modest rrobat, por mirësjellja. Jo vetëm kur ndeshim persona që kanë një pozitë në shoqëri, por çdo herë dhe me çdo person. Ajo kërkon angazhim të përditshëm gjatë gjithë jetës. Edhe nëse nuk gjeni mbështetje për një mirësjellje mos u shkurajoni, por guxim e vetëm përpara. Mos u dorëzoni përballë sjelljeve arrogante. Mirësjellja është më e fuqishme se fyerja, poshtërimi, dhuna, përqeshja e përulja.

Sjellja e mirë është si një veshje që bie në sy. Njeriu mund të jetë i zgjuar, i shkolluar, por po nuk qe i sjellshëm nuk do të jetë i vlerësuar nga askush. Mund të thuhet: I shkreti! Sa vite shkollë ka bërë e nuk di të sillet e nuk di se çfarë është mirësjellja?!

Të dish të flasësh, të heshtësh, të reagosh në momentin e duhur e në kohën e duhur kjo do të tregojë se kush je dhe cili është formimi yt, e jo diplomat e vendosura në mur apo pozitat e ndryshme.

Mirësjellja ose sjellja e mirë e ndihmon njeriun të jetojë në paqe me veten dhe tjetrin. Ajo kërkohet të jetë e pranishme si në botën reale ashtu edhe në atë virtuale. Njerëzit me sjellje të mirë do të marrin respektin, nderin dhe vlerësimin e të tjerëve pa sforcim, por natyrshëm. “Mirësjellja nuk të garanton suksesin, por të drejton në rrugën e duhur drejt tij”. Është çelësi i çdo raporti.

Njeriu që vlerëson dhe praktikon mirësjelljen

Njeriu me mirësjellje ose sjellje të mirë sillet dhe flet me edukatë, saqë njerëzit kanë dëshirë ta kenë pranë dhe ta dëgjojnë. E dëgjon tjetrin e nuk e ndërpret. Përcjell mesazhe në mënyrë të qetë. Është i thjeshtë, i kujdesshëm dhe i natyrshëm. Është vetvetja, nuk tenton të jetë ndryshe. Është ai që mirësjelljen e shfaq kudo dhe me këdo, edhe me më të dobëtin dhe përballë personave ndaj të cilëve nuk kanë fare interes.

Njeriu që vlerëson e praktikon mirësjelljen është ai që mundohet të kuptojë dhe pranojë tjetrin ashtu siç është. Është ai që ka një vetëkontroll përballë çdo situate. Është ai që menaxhon situatën e nuk lejon që situata ta menaxhojë atë. Është ai që di kur të qeshë e si të qeshë.

Njeriu që vlerëson e praktikon mirësjelljen e ka tonin e zërit mjaft të ekuilibruar, të edukuar, të butë e paqësor. Ka një fjalor të shëndoshë e të thjeshtë. Nuk përul, nuk fyen dhe nuk nënçmon askënd. Është ai që mirësjelljen e konsideron si vlerë e jo si dobësi, di të jetë fleksibël dhe çdo gjëje i jep vendin e vet. Është ai që i jep përparësi mendimit pozitiv dhe përcjell gjithnjë pozitivitet tek të tjerët. Është ai që i ka vënë vetes qëllime e standarde dhe që parësore për të janë vlerat.

Sjellja flet më shumë se fjalët dhe tregon se kush jemi.

Autore: M.Franciska (Suzana) Lekaj