Protestë kundër vendimit për konkursin e bursave

0
79

Këshilli Studentor i Fakultetit të Arteve, që udhëhiqet nga organizata studentore “Reforma”, ka protestuar kundër vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për mospërfshirjen e tyre në konkursin e bursave për Universitetin e Prishtinës.

Protestuesit, studentë të Fakultetit të Arteve thanë se me mospërfshirjen e tyre në shpërblimin me bursa nga Ministria e Arsimit për vitin akademik 2019/2020 është bërë diskriminim.

Në protestën e sotme para objektit të MASHT-it, kryetari i këtij këshilli, Edison Bibaj, kërkoi nga ministria që të anulohet vendimi për bursa, përndryshe ai tha se do të bojkotohet mësimi deri në rishqyrtimin e këtij vendimi.

Bibaj tha se të enjten kanë bërë kërkesë pranë Ministrisë së Arsimit për sqarim, se pse Fakulteti i Arteve nuk është përfshirë në radhët e fakulteteve ku studentët marrin bursa, por s’kanë marrë asnjë përgjigje.

“Thirrja për ministrin prej anës sonë si përfaqësues të studentëve është që ky vendim duhet të rishqyrtohet, duhet të ndërrohet dhe nuk e pranojmë në asnjë mënyrë. I vetmi kompromis prej anës së përfaqësuesit të studentëve, studentët bursist por edhe studentëve të Universitetit të Prishtinës është që ky vendim të anulohet”, tha Bibaj.

Ushtruesi i detyrës i Drejtorit të Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit, Burim Gashi, në një deklaratë për media derisa protesta po zhvillohej jashtë ambienteve të ministrisë, tha se studentët e tri fakulteteve të Universitetit tëPrishtinës kanë mbetur jashtë shpërblimeve me bursa, ata të Fakultetit të Arteve, të Fakultetit të Edukimit dhe Fakultetit të Edukatës Fizike.

Gashi tha se ministri i Arsimit një gjë të tillë e ka bërë për shkak të “mungesës së tregut të punës”, për studentët e këtyre fakulteteve.

“Arsyeja pse ministri e ka marrë këtë vendim është për shkak të mungesës së tregut të punës që kërkohet si prioritet nga Ministria e Arsimit. Kjo nuk do të thotë që këto që janë anuluar sivjet, vitin e ardhshëm të mos përkrahen, pasi që politikë e ministrit do të jetë që të hiqen disa fusha dhe të vendosen fusha tjera me vendim, siç është e paraparë me udhëzim për ndarje të bursave”, tha Gashi.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit në një komunikatë për media thotë se mbështetja e studentëve me bursa ka për qëllim përkrahjen e kuadrove deficitare, prandaj thotë se janë zgjedhur për mbështetje financiare vetëm fakultetet të cilat përgatisin kuadro deficitare.

“Fakulteti i Edukimit dhe ai i Arteve nuk konsiderohen më si deficitare, prandaj studentët e këtyre fakulteteve nuk do të mbështeten financiarisht nga MASHT”, thotë ministria.

Ndryshe, këtë vit akademik Universiteti i Prishtinës do të shpërndajë bursa për studentët e dalluar në vlerë rreth 700 mijë euro.