Prokurorja në pushime, anulohet seanca gjyqësore ndaj rojes së pyellit i akuzuar për korrupsion

0
90

Me kërkesë të prokurores Dulina Hamiti është anuluar seanca gjyqësore në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndaj Xhavit Avdiu, i akuzuar për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, raporton Drejtësia Sot.

Lajmin për Drejtësia Sot e ka konfirmuar gjyqtarja e çështjes Nushe Kuka Mekaj, e cila theksoi se ka pranuar njoftimin nga ana e prokurores Hamiti se gjendet në pushim vjetor, andaj edhe ka njoftuar palët për anulimin e kësaj seance.

Përndryshe, i pandehuri Xhavit Avdiu, po akuzohet se duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare si roje e pyellit në Komunën e Podujevës ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përftimit të dobisë për vete ose personin tjetër.

Kujtojmë se edhe seanca e kaluar në këtë rast është shtyrë për arsye të mungesës së prezencës së palës së dëmtuar Agjencionit Pyjor të Kosovës, të përfaqësuar nga përfaqësuesi ligjor i Kuvendit Komunal të Podujevës.

Vlen të theksohet se çështja në fjalë është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, pasi që e njëjta kishte konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale,

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurorja Dulina Hamiti, më 10 maj 2018, rreth orës 19:30, pjesëtarët e policisë kufitare në fshatin Orllan kishin hasur dy kamionë me vozitësit Ramadan Bislimi dhe Nebih Bislimi, duke transportuar dru në mënyrë ilegale drejt Prishtinës kurse i pandehuri Avdiu ishte duke i përcjellë me veturën e tij.

Në aktakuzë thuhet se pasi policia i kishte ndaluar kamionët te vendi i quajtur “Pishat” i akuzuari Avdiu, me veturën e tij ishte ndalur dhe u ishte ofruar zyrtarëve policorë, duke u thënë t’i lirojnë vozitësit e kamionëve pavarësisht se nuk posedonin dokumente për transportimin e drunjëve, pasiqë ata ishin me të akuzuarit Avdiu./DrejtesiaSot