Prof. Lul Raka: Virusi ka pësuar mutacion dhe po përhapet më shpejt, spitalet po mbingarkohen

0
126

Profesori Lul Raka ka folur në një intervistë për Telegrafin për situatën e fundit me pandeminë Covid-19 në Kosovë. Ai ka thënë se trendi i rritjes së numrit të rasteve në javën e fundit është shqetësues pasi shtylla kryesore e përgjigjes ndaj pandemisë është kapaciteti shëndetësor i Kosovës, i cili po mbingarkohet çdo ditë.

“Kësaj rritje i kemi kontribuar të gjithë: qytetarët, të cilët nuk i përfillin fare masat parandaluese. Por, edhe politikanë, të cilët vazhdojnë ta përdorin COVID-19 si monetë për kusuritje të ndërsjellë. Po ashtu, nuk duhet harruar edhe të dhënat e ditëve të fundit që flasin për mutacionin e virusit, me të cilën mundësohet përhapja më e lehtë dhe e shpejtë e tij”, ka deklaruar ai.

Duke folur për situatën epidemiologjike, Raka thotë se rënie të rasteve mund të ketë vetëm nëse zbatohen strikt masat parandaluese, përndryshe trendi i përhapjes masive në komunitet do të vazhdojë.

“Nuk po kërkojmë ndonjë gjë abstrakte as të parealizueshme nga qytetari: distancë fizike, maskë dhe higjienë të duarve. Rënie mund të pritet të ketë vetëm nëse zbatohen strikt masat parandaluese. Përndryshe, trendi i përhapjes masive në komunitet do të vazhdojë”, potencoi ai.