Prizren, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte

0
54

Gjykimi ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Remzi Shala, që po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Prizren-Departamenti për Krime të Renda, është shtyrë me kërkesën e mbrojtësit, avokatit Afrim Paqarizi, nën arsyetimin se i duhet kohë për përgatitjen e mbrojtjes pasi që i njejti një ditë më parë i ka pranuar shkresat e lëndës, raporton Drejtësia Sot.

I pandehuri Shala po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për privim nga liria të një civili në kohë lufte, ashtu që duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshin, dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur, në drejtim të fshatit Grajqevc, dhe pas disa dite trupi i pajetë i ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Në seancën e sotme, prokurori Haki Gecaj, dhe avokati i palës së dëmtuar, Asdren Hoxha, nuk patën kundërshtime lidhur me propozimin e avokatit Paqarizi që ky shqyrtim gjyqësor të shtyhet për një datë tjetër, nën arsyetimin se kjo lëndë është voluminoze.

Po ashtu, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Raima Elezi, aprovoi edhe propozimin e palës së dëmtuar që të thirren edhe një herë si dëshmitarë, A.T., S.P., Xh.E., F.SH., dhe XH.SH., si dhe propozimin e të akuzuarit, i cili kërkoi nga gjykata që të thirret si dëshmitarë edhe E.G.
Gjithashtu, prokurori i rastit, propozoi që në cilësinë e dëshmitarit, të ftohet sërish F.Q., dhe lidhur më këtë propozim u pajtuan si pala e dëmtuar ashtu dhe i akuzuari.

Në fund të këtij gjykimi, kryetarja e trupit gjykues, vendosi që shqyrtimi i radhës të vazhdojë në datat 13, 14 ,15, 16 tetor 2020, nga ora 09: 30./DrejtesiaSot