Prishtinë, qytetarët marshojnë duke kërkuar drejtësi për Astrit Deharin

0
60

Në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës të martën filloi marshi në kërkim të drejtësisë për aktivistin e Vetëvendosjes Astrit Dehari, me moton “Një popull për drejtësi” tri vjet pas vdekjes së tij.

Qindra qytetarë bashkë me prindërit, gruan e vajzën si dhe familjarë të tjerë të Astrit Deharit dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, marshuan nga sheshi “Skënderbeu” deri te Prokuroria Speciale në Prishtinë, me pankarta dhe mesazhe në letër “Drejtësi për Astritin”, “Unë jam Astriti”, etj.

Një fjalë rasti para të pranishmëve e ka mbajtur kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili tha se 3 vite janë shumë për familjarët e Astrit Deharit, por janë shumë për të gjithë që kanë bashkëndjerë dhimbjen e vdekjes së aktivistit.

Kurti tha se “Astriti është emri i tragjedisë për studentin e mjekësisë dhe aktivistin e Lëvizjes, porse se Astriti është emri i padrejtësisë për qytetarin e Republikës dhe njeriun e ndërgjegjshëm”.

“Në qelinë A3 të burgut të Prizrenit ku kam qenë edhe vetë para 12 vjetëve, e kanë mbytur një njeri të pafajshëm. Ekspertiza ligjore qysh atëherë ka konstatuar që për 11 lloje të drogave janë zhvilluar teste dhe në asnjërën prej tyre, Astriti nuk ka dalë pozitiv. 11 lloje të drogave, kurrfarë medikamenti, trup i shëndoshë plotësisht në aspektin psikik e fizik”, tha Kurti.

Profesoresha e Astrit Deharit në Fakultetin e Mjekësisë, Hatixhe Pupovci, tha se Astriti ka qenë student i shkëlqyeshëm i cili veproi aktivisht në universitet edhe duke protestuar “për një universitet më ndryshe të zhveshur prej të gjitha formave të korrupsionit”.

“Para tri vitesh, më 7 nëntor ishte ditë e hënë, isha në ligjërata, në mes të dy ligjëratave, ashtu siç jam sot, dhe më ftuan që të jemë monitoruese në obduksionin e Astrit Deharit. A ka më rëndë. A ka më rëndë se të jesh pjesë e obduksionit në tavolinën e të cilit e sheh ish-studentin tënd të shkëlqyeshëm, ish-studentin tënd gjithmonë të buzëqeshur”, tha Pupovci.

Këtij marshi i është bashkëngjitur edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët nga Maqedonia e Veriut, Zijadin Sela. Gjithashtu në këtë marsh kanë marrë pjesë edhe ish-deputetë e aktivistë të Partisë Socialdemokrate, parti e cila doli nga të pakënaqurit me Vetëvendosjen.

Astrit Dehari u gjet i vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 në Burgun e Prizrenit, nga rrethana ende të pasqaruara mirë. Dehari u arrestua me dyshimin se ai së bashku me disa anëtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje hodhën një bombë në Kuvendin e Kosovës në gusht të vitit 2016 për të parandaluar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Së fundi një ekspertizë e pavarur e Mjekësisë Ligjore e Lozanës së Zvicrës, vuri në pah se “hipoteza e një vetëvrasjeje e Deharit përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjor duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh”, shkruan aty.

Prokuroria Themelore e Prizrenit, e cila e ka pranuar këtë ekspertizë, theksoi se bazuar në të gjeturat e raportit në fjalë, do të vazhdohet hetimi i këtij rasti dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme, përfshirë ekspertët në Lozanë dhe ata nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës.