Prishtina vazhdon me fitore, Arbëria nxjerr një pikë në Gjilan

0
55

Prishtina ka vazhduar serinë pozitive në stinorin pranveror, duke realizuar fitoren e pestë në po aq ndeshje të zhvilluara. Në ndeshjen e javës së 23-të në Superligë, bardhekaltrit e kryeqytetit shënuan fitore si vendas në stadiumin “Fadil Vokrri”, me rezultat 2:0. Për fitoren e skuadrës së Zekirija Ramadanit u përkujdesën Besnik Krasniqi dhe Alban Shillova me golat e tyre të realizuar në minutat 31-të dhe 34-t.

Me këtë fitore Prishtina barazon kuotën e pikëve me Dritën (47), por kjo e fundit ndeshjen e kësaj jave e luan nesër kundër Feronikelit. Lojë mjaft interesante u zhvillua edhe në ndeshjen tjetër, ku Gjilani dhe Arbëria u ndanë baras, 1:1. Të dy golat në këtë duel u realizuan në pjesën e dytë. Në minutën e 61-të, Agron Bruqi i Arbërisë, në tentim për ta larguar topin shënoi në portën e vet për t’i dhënë epërsinë gjilanasve, por skuadrën e Arbnor Morinës nga humbja e shpëtoi Marclei Santos, me golin e shënuar në minutën e 84-t. Pas këtij barazimi Gjilani vazhdon të mbetet në pozitën e katërt me 33 pikë, derisa Arbëria në vendin e tetë me 26 pikë.