Prezantohet finalizimi i Ligjit për Gjykatën Komerciale

0
34

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi së bashku me zëvendësministrin në detyrë të Drejtësisë, Florian Dushi, sot në një konferencë për media kanë prezantuar finalizimin e Ligjit për Gjykatën Komerciale.

Me këtë rast ministri në detyrë, Selimi tha se Ligji për Gjykatën Komercial do të vendos një shtyllë të re në sistemin e drejtësisë.

“ Sot e kemi një lajm të mirë, kemi përfunduar punën për finalizimin e Ligjit për Gjykatën Komerciale. Është bërë një punë e jashtëzakonshme për të bërë një ligj i cili do ta vendos një shtyllë të re në sistemin e drejtësisë”, tha Selimi.

Sipas tij, tashmë të gjitha bizneset dhe personat fizik që operojnë në fushën komerciale do ta kenë një adresë në të cilën do t’i zgjidhin kontestet e tyre.

Për punën e bërë në këtë Ligj, ministri në detyrë Selimi falënderoi USAID-in, ekipin punues të Ministrisë së Drejtësisë dhe zëvendësministrin në detyrë, Florian Dushi, i cili njëherësh ka udhëhequr Grupin Punues për hartimin e Ligjit për Gjykatën Komerciale.

Me këtë rast, zëvendësministri në detyrë, z. Dushi tha se finalizimi i Ligjit për Gjykatën Komerciale me të drejtë vlerësohet si hap i madh dhe i rëndësishëm i institucioneve në Kosovë.

“ Duke parë nevojën për krijimin e një ambienti më të mirë të të bërit biznes, duke synuar tërheqjen e investimeve të huaja, dhe duke parë pamjaftueshmërinë e kapaciteteve aktuale të Departamenteve Ekonomike në Gjykatën Themelore dhe të Apelit në raport me zhvillimin e ekonomisë së vendit tonë, themelimi i Gjykatës Komerciale, një gjykate të profilizuar që do të trajtoj ekskluzivisht çështjet komerciale, me të drejtë vlerësohet si hap i madh dhe i rëndësishëm i institucioneve tona në këtë drejtim”, tha Dushi.

Zëvendësministri në detyrë, z. Dushi,  falënderoi ministrin  Selimi për besimin e dhënë për siç tha udhëheqjen e këtij procesi kaq me peshë për drejtësinë komerciale dhe ekonominë e vendit, pastaj përfaqësuesit e USAID-it për mbështetje si dhe Zyrën e BE-së dhe partnerë të tjerë të Ministrisë së Drejtësisë.