Presidenti: Rënia e Selman Vojvodës na bëri më të fuqishëm drejt rrugëtimit tonë për liri dhe pavarësi

0
52

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për dëshmorin Selman Vojvoda, i cili ishte vrarë 30 vjet më parë në demonstratat e vitit 1990 në qytetin e Mitrovicës.

Presidenti Thaçi theksoi se një vit para se të vritej Selman Vojvoda në krye të përgjegjësive kombëtare duke demonstruar kundër Serbisë, më 28 shkurt 1989 Beogradi zyrtar i Millosheviqit suprimoi kushtetutën e vitit 1974, duke ia hequr çdo atribut autonom Kosovës.

“Ky degradim nuk kaloi pa rezistencë të fuqishme kombëtare në Kosovë. Kudo nëpër qytetet e Kosovës u bënë protesta të fuqishme. Ata që kanë qenë në atë kohë punëtorë, ju kujtohet shumë mirë greva e minatorëve, grevat në të gjitha ndërmarrjet punonjëse, grevat dhe demonstratat e studentëve gjithandej Kosovës, grevat dhe solidarizimi masiv popullor që po ndodhte anekënd Kosovës, e mund të them i gjithë kombi ishte bashkuar në mbrojtje të së drejtës së qytetarëve të Kosovës, por edhe afirmimit të të drejtave të tyre për të jetuar të lirë dhe të pavarur, siç jetojmë sot. Bilanci i atyre demonstratave çdo ditë kur ndodhnin ato, mbyllej me të vrarë, të plagosur dhe të arrestuar. Ky represion i Serbisë kishte filluar edhe më herët, por ishte sistematik, që nga shpërthimi i demonstratave të vitit 1981, nga studentët për t’u mbështetur nga të gjithë në Kosovë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit tha se goditja e institucioneve të Kosovës në atë kohë, burgosjet  e intelektualëve, diferencimet dhe shtypja e përditshme, u intensifikuan sidomos në vitet 1989 dhe 1990.

“Ishte koha kur dominimi i Beogradit vazhdonte nëpër tërë republikat e ish-Jugosllavisë, me theks të veçantë me dhunën që përdorte në Kosovë. Por, punëtorët kosovarë, minatorët e Trepçës, rinia studentore e Kosovës si forcë politike tradicionalisht kryengritëse, pra Lëvizja Studentore, u bashkuan dhe ajo priu në demonstrata dhe protesta në të gjitha qendrat urbane, por edhe kudo në Kosovë. Studentët e Universitetit të Kosovës dhe studentët kudo që studionin, qoftë në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë apo Prizren,  u solidarizuan me minatorët e Trepçës me forma të ndryshme, prej sakrificës më sublime, grevës së urisë deri në demonstrata të hapura kundër policisë, ushtrisë dhe administratës së Serbisë”, ka thënë ai.

Ky ishte rezultat i pakënaqësive, shtoi presidenti Thaçi, por edhe i mosdurimit të shtypjes së Beogradit që bënte ndaj popullatës së pafajshme dhe paqësore në Kosovë.

“Që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, Lëvizja Kombëtare në Kosovë asnjëherë nuk u pajtua me politikën e Beogradit. Kemi rezistencën e Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës, rezistencë kjo që u shtyp me dhunë, represion dhe vrasje në Drenicë dhe më gjerë, për të vazhduar me lëvizjen kombëtare të udhëhequr nga Adem Demaçi si simbol i rezistencës dhe frymëzues i gjeneratave për Kosovën Republikë, për Kosovën e lirë, për Kosovën e pavarur dhe sovrane. Për të vazhduar tutje, pra, siç e theksuam me demonstratat e vitit 1968, 81, për të vazhduar represioni i Serbisë me burgosje, me dënime të rënda, me mbytje me torturë, ndjekje e atentate ndaj veprimtarëve më të devotshëm të Lëvizjes Kombëtare për liri dhe pavarësi të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai theksi se në mesin e atyre njerëzve që treguan vendosmëri, zgjuarsi dhe vizion  ishte edhe studenti Selman Vojvoda.

“Selman Vojvoda me kontributin e tij dha shembullin më të mirë sesi një i ri, pavarësisht se ishte në amfiteatret e fakultetit, pavarësisht se kalonte kohën në biblioteka apo duke u përgatitur për të ardhmen e tij, ai sikur të gjithë rinia e Kosovës la për një moment edhe amfiteatrin, edhe librin në bibliotekë apo në banesë dhe doli në ballë të demonstratave për Kosovën e lirë, Republikë dhe të pavarur. Reagimi dhe vendosmëria e studentit Selman Vojvoda nuk ishte e rastësishme. Ai këtë patriotizëm e kishte të frymëzuar nga familja e tij, nga rrethi i tij, pra ishte edukuar në frymën atdhetare, me frymën e rezistencës kundër ushtrisë dhe policisë serbe, dhe me frymëzimin për liri dhe pavarësi”, u shpreh presidenti Thaçi.

Rënia e Selmanit, sipas presidentit Thaçi, ka një simbolikë të veçantë për Drenicën, për Mitrovicën dhe për gjithë Kosovën.

“Ka një simbolikë të veçantë për Drenicën, sepse rënia e Selmanit ishte mesazhi më i qartë se Serbia nuk do të ndalet, se Serbia do të vazhdojë të vrasë të rinj e të reja të pafajshëm, studentë duarthatë, por me një frymëzim të qartë të rezistencës dhe lirisë. Rënia e Selmanit dhe ceremonia që u organizua me rastin e varrimit të tij, ishte mesazhi i Kosovës, mesazhi i rezistencës, mesazhi i bashkimit të të gjithë njerëzve, por në të njëjtën kohë ishte edhe mesazhi i pajtimit edhe në Drenicë, edhe në gjithë Kosovën se vetëm të bashkuar do të mund të rezistonim dhe do të mund të fitonim përballë Serbisë. Pra, rënia e Selmanit na mobilizoi, na bashkoi, na pajtoi për të ecur përpara, për t’u kurorëzuar pastaj me liri dhe pavarësi. Simbolika e rënies së Selmanit për qytetin e Mitrovicës është i qartë, jeton edhe sot dhe do të jetojë përjetë e mot”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti theksoi se Selmani ra tek ura dhe ajo urë u pagëzua si ura e gjakut.

Duke kujtuar edhe sot studentin Selman Vojvoda, presidenti Thaçi tha se kujtojmë me pietet, respekt dhe krenari të gjithë dëshmorët të rënë në demonstratat e viteve 1968, 81 dhe 90.

“Kujtojmë ata njerëz, ata të rinj e të reja që ranë në lulen e rinisë, pra u sakrifikuan për lirinë, sakrifikuan gjithçka. Liria e Kosovës ishte ëndrra e tyre, ëndërr kjo që sot u bë realitet”, tha ai.

“Lavdi jetës dhe veprës së heroit Selman Vojvoda!”, përfundoi presidenti Thaçi.