Presidenti: Ekonominë mund ta rimëkëmbim me një politikë të re dhe qasje më serioze

0
43

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka vizituar Odën Ekonomike të Kosovës dhe ka bashkëbiseduar me komunitetin e biznesit për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar komunitetin e biznesit për kujdesin që kanë treguar për punëtorët gjatë kësaj kohe pandemie, që ishte kohë jo e lehtë për vendin, për institucionet dhe tërë shoqërinë.

Po ashtu, ai i ka falënderuar edhe të gjithë mjekët, infermierët dhe personelin mjekësor, që kanë bërë një punë të shkëlqyer për t’u përballur suksesshëm me pandeminë.

“Pasi që edhe Kosova, sikur edhe vende tjera të rajonit, gradualisht, por suksesshëm, po e tejkalon këtë situatë emergjente të Covid 19, natyrshëm shtrohet obligim para të gjithë neve si institucione të vendit, odat ekonomike dhe të gjithë mekanizmat e shoqërisë kosovare, edhe shoqëria civile, edhe mediat dhe gjithë të rikthehemi në një përkushtim maksimal për rikthimin e jetës sa më normale, por në të njëjtën kohë, në veçanti për rimëkëmbjen ekonomike. Në këtë drejtim do të punojmë të gjithë bashkërisht, sepse është jetike që të nxirret një pako e plotë, e qartë, e nevojshme dhe natyrisht në përputhshmëri me interesat dhe nevojat e biznesit, në mënyrë që të kemi një rikthim të aktiviteteve ekonomike. Gjithashtu, drejtpërdrejtë kemi një interesim të veçantë për sektorin privat, për kujdesin që duhet të vazhdohet të tregohet ndaj punëtorëve, që të vazhdojë prodhimi dhe në të njëjtën kohë të shohim edhe gjitha masat tjera që mund t’i ndërmarrim si institucione, flas për një angazhim të përbashkët të spektrit politik në mënyrë që të kemi një sukses edhe në të ardhmen”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se duhet të vazhdohet edhe me implementimin e plotë të të gjitha investimeve kapitale, të cilat kanë qenë në proces dhe natyrisht hapjen e mundësive tjera për investime që janë të domosdoshme edhe për vazhdimin e zhvillimit ekonomik, edhe për krijimin e vendeve të reja të punës, por edhe për rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve.

Kreu i shtetit ka thënë se bashkërisht do të mund t’ia dalim me një politikë të re, me qasje serioze dhe të qartë, të suksesshme dhe gjithëpërfshirëse.