Pranvera Hyseni, kosovarja në kërkim të asteroideve dhe kometave

0
300

Pranvera Hyseni, është vajzë 24 vjeçare nga Vushtrria, e cila udhëheqë organizatën e Astronomisë së Kosovës “Astronomy Outreach of Kosovo”.

Ajo tashmë ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është duke u përgatitur për studime pasdiplomike në fushën e Astronomisë dhe Shkencave Planetare. Ndërkohë, ajo është duke kryer vëzhgime qiellore të një niveli më të lartë. Kërkimet e saja janë të koncentruar kryesisht në trupa të vegjël qiellor, që në astronomi njihen si asteroide dhe kometa. Vëzhgimi i këtyre trupave mund të jetë mjaft i ndërlikuar për shkak të madhësisë së vogël që kanë, si dhe kërkon aparaturë të sofistikuar teleskopike.

Duke bashkëpunuar ngushtë me astronomë amerikanë, asaj iu është dhënë qasje përdorimi i teleskopëve të ndryshëm për të kryer vëzhgime qiellore, të cilat janë të pamundura të kryhen në Kosovë. Ajo është duke kontribuar jashtëzakonisht shumë në konfirmimin e këtyre trupave qiellor, zbulimi i të cilëve bazohet në matjet e saj. Ajo është bërë Shqiptarja e parë që ka konfirmuar zbulimin e një Komete si dhe një numër asteroidësh.

Metoda të cilën ajo përdor njihet si “Blinking Images”, që ka të bëjë me marrjen e dy imazheve të ndryshme të të njëjtës fushë qiellore, mirëpo në kohë të ndryshme, ndërsa krahasimi i tyre bëhet me ndihmën e një softueri të përshtatshëm, i cili mundëson shfaqjen e imazheve në mënyrë të njëpasnjëshme. Përderisa sfondi yjor qëndron statik në imazh për shkak të distancës së madhe, çdo lëvizje tjetër vërehet dukshëm që përfshinë trupat e vegjël të sistemit diellor. Qendra “Minor Planet Center” në Massachusetts, zotëron listën e të gjitha kometave dhe asteroidëve të njohur në qiell, e cila mund të shkarkohet online. Nëse objekti lëvizës në imazh nuk gjendet i listuar në katalog, atëherë ekziston mundësia që ky objekt të jetë akoma i pa zbuluar. Këto të dhëna më pas raportohen tek kjo qendër, e cila kërkon konfirmimin e më shumë se dy ose tre vrojtuesve nga lokacione të ndryshme, para se ta emërtoj si zbulim të ri. Pra, e tëra kjo bëhet e mundur duke përdorur teleskopë dhe softuerë të sofistikuara kompjuterike.

Me 10 Janar 2020, Pranvera është bërë zyrtarisht konfirmuese e Kometës C/2020 Y4, që është zbuluar me 28 Dhjetor 2019. Ajo ka arritur të fotografoj këtë kometë përmes një teleskopi 12.5 inç nga Karolina e Jugut në SHBA, ku së bashku me astronomin Hap Griffin, kanë arritur të përcaktojnë pozitën e saj. Konfirmimi i saj është publikuar në faqen zyrtare të Qendrës Minor Planet Center, në të cilën gjenden informacione shtesë rreth kometës.

Pranvera Hyseni ka përfunduar studimet Bachelor në Departamentin e Gjeografisë të Universitetit të Prishtinës dhe njihet si figurë e popullarizimit të shkencës së Astronomisë në Kosovë. Aktiviteti i saj u bë i njohur ndërkombëtarisht pasi u ftua të ligjëroj në universitete dhe konferenca të ndryshme shkencore në mbarë botën. Në vitin 2017, ajo u ftua të përfaqësoj Kosovën në Universitetin e Harvardit si dhe u ftua të flas në Panairin e Astronomisë më të madh të madh në botë, NEAF, në New York. Hyseni ka udhëtuar në pesë kontitente, duke përfaqësuar Kosovën në qendra të NASA-s, muze dhe shumë institucione shkencore.

Në nëntor të vitit 2017, Unioni Ndërkombëtar i Astronomëve si dhe qendra Minor Planet Center, e ka nderuar Hyseni duke e pagëzuar zyrtarisht një asteroid me emrin e saj, 45687 Pranverahyseni. Asteroidi ndodhet në mes të Marsit dhe Jupiterit dhe ka një diametër prej 13 km.
Ajo planifikon të vazhdoj studimet në fushën e Astronomisë dhe Shkencave Planetare, si dhe njëkohësisht të kontribuoj në zbulime të reja qiellore, duke mbështetur fuqishëm organizatën AOK.

Asteroidi (23) Thalia

Asteroidi (27) Euterpe

Asteroidi (3) Juno si dhe tri objekte tjera te paidentifikuara, fotografuar nga Pranvera Hyseni, nëpërmjet observatorit në Ishujt Canary të Spanjës.