Plani i Veprimit për koronavirusin në Kosovë, kostoja mbi 10 milionë euro

0
63
Arkiv
Arkiv

Qeveria e Kosovës, e ka miratuar Planin e Veprimit për gatishmëri dhe reagim për koronavirusin.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, para kabinetit qeveritar e ka shpalosur më në detaje se çfarë parasheh ky plan.

Ai ka bërë të ditur se bazuar në përllogaritjen financiare të aktiviteteve të parapara në këtë plan, kostoja finale e tij është mbi 10 milionë euro.

“Në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik dhe menaxhimit të situatës epidemiologjike me koronavirus, Ministria e Shëndetësisë ka ngritur në nivel të lartë gatishmërinë për t’u ballafaquar me raste eventuale të këtij virusi pas shfaqjes së tij në vendet përreth Kosovës, përfshirë së fundmi edhe Shqipërinë”.

“Deri në ditën e sotme, në momentin që po flasim, në laboratorin e Mikrobiologjisë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë testuar 62 raste të dyshimta të cilat kanë rezultuar negative. Janë duke u testuar edhe pesë ose gjashtë raste të tjera dhe po presim rezultatet në orët në vazhdim”.

“Pas takimit të Komitetit Koordinues dhe Vlerësues për menaxhimin e situatës epidemiologjike me koronavirus COVID-19 në të cilin janë shqyrtuar përgatitjet e deritanishme për t’u përballur me rastet e këtij virusi dhe pasojat që mund t’i shkaktojnë është propozuar ngritja e nivelit të gatishmërisë”.

“Ky propozim, sipas legjislacionit në fuqi, i është dërguar Këshillit të Sigurisë të Kosovës dhe kryeministrit bashkë me kërkesën me miratimin e Planit të Veprimit, Gatishmërisë dhe Reagimit kundër koronavirusit me përllogaritje financiare të aktiviteteve të parapara në këtë plan”.

“Bazuar në kërkesat e përfaqësuesve të institucioneve në këtë komitet kostoja finale e këtij Plani të Veprimit është 10 milionë e 13 mijë e 295,5 euro”.

Vitia ka bërë të ditur se varësisht prej zhvillimeve në terren, Komiteti për Koordinim dhe Vlerësim të situatës me koronavirusin do të mblidhet dhe do të ofrojë rekomandime për qeverinë deri në shpalljen eventuale të gjendjes emergjente.

“Ky plan përfshin aktivitete që kërkojnë mobilizim të resurseve financiare dhe humane dhe kërkojnë veprim, përpos Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe tri niveleve të kujdesit shëndetësor, edhe të institucioneve të tjera mbështetëse si FSK-ja, Policia e Kosovës, ministritë, agjencionet dhe të tjera”.