Pjetёr Shala transferohet në Hagë bazuar në aktakuzën e konfirmuar

0
63

Më 16 mars 2021, autoritetet e Belgjikës në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), arrestuan zotin Pjetër Shala në Belgjikë.

Më 15 prill 2021, Shala u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë.

Versionet e redaktuara publike të fletarrestimit dhe urdhrit për transferim të z. Shala mund të lexohen këtu.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nikola Giju e konfirmoi aktakuzën kundër z. Shala më 12 qershor 2020.

Aktakuza e konfirmuar e redaktuar tashmë është bërë publike në pajtim me rregullën 88 të Rregullores së Procedurës dhe Provave. Për arsye sigurie, Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi që aktakuza të bëhej publike me redaktime. Aktakuza mund të lexohet këtu.

Në aktakuzën e konfirmuar z. Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt. Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të
ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Së shpejti do të jepet informacion mbi datën dhe orën e paraqitjes së parë të z. Shala para Gjykatësit të Procedurës Paraprake.

Paraqitja e parë mbahet në seancë publike dhe mund të përcillet përmes faqes së DHSK-së në Internet.