Pjesëtarët e FSK-së çertifikohen në kursin bazik për kërkim-shpëtim urban

0
223

Në Qendrën e Trajnimit për Kërkim-Shpëtim në Pomozatin, ka përfunduar trajnimi dy-javor i kursit bazik të kërkim-shpëtimit urban, përcjell OxygenPress.

Studentët pjesëmarrës të këtij trajnimi, kanë mësuar si të hyjnë brenda ndërtesave të dëmtuara për të shpëtuar viktimat.

Gjatë trajnimit studentët kanë mësuar si dhe pse rrënohen ndërtesat, qoftë nga shkaktari njeri apo edhe nga fatkeqësitë natyrore, dhe si të identifikojnë hapësirat në ndërtesat e rrënuara, ku viktimat kanë një mundësi të madhe për mbijetesë, njofton Ministria e Mbrojtjes.

“Elemente kyçe të trajnimit ishin mësimi i teknikave të shpimit të betonit dhe të prerjes së metaleve, për të krijuar qasje në strukturat e dëmtuara si dhe teknikat e kërkimit për të gjetur viktimat, ku u përfshi përdorimi i kamerave dhe ekipeve të specializuara të qenve K-9 të kërkimit. Gjithashtu, trajnimi përfshiu edhe punën e ngjitjes me litar dhe të përdorimit të litarit për të krijuar qasje nga lart në ndërtesa e dëmtuara”, thuhet në njoftim.

Studentet kanë mësuar për emergjencat mjekësore të shpëtimit të jetëve dhe si t’i largojnë viktimat, në mënyrë të sigurt nga ndërtesat e rrënuara. Skenarë të ndryshëm janë përdorur në mënyrë të tillë që studentët t’i praktikojnë në secilën fazë të trajnimit.

Element i ri i këtij trajnimi ishte shfrytëzimi i tunelit të ri nëntokësor 30 metra, që së fundi është ndërtuar nga vet stafi i QT-së. Ky tunel rrit më tej realitetin e programeve të trajnimit dhe numrin e skenarëve të mundshëm të trajnimeve.

“Në ceremoninë e certifikimit ishin të pranishëm përfaqësues nga Ambasada e SHBA-ve, ODC-ja, mbështetës të fuqishëm të punës së Qendrës së Trajnimit dhe stafi i Qendrës së Trajnimit, të cilët vlerësuan lart angazhimin dhe motivimin e studentëve gjatë mbajtës së kursit për kërkim-shpëtim urban.”, përfundon njoftimin ministria./OxygenPress.info