Piktor i shkëlqyer, skulptor, arkitekt dhe poet; krijimtaria e tij artistike ka ndikuar thellë në zhvillimin e mëtejshëm

0
158

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 50 me rradhë ka Mikelanxhelo.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr.L – Mikelanxhelo

(1475-1564)

Rilindësi i madh krijues,Mikelanxhelo Buonaroti, është personaliteti i shkëlqyer i historisë së artit të pikturës. Si piktor i shkëlqyer, skulptor dhe arkitekt, ai ka lënë pas vetes një varg punimesh që me shekuj po lenë mbresa të pashlyera te njerëzit. Krijimtaria e tij artistike ka ndikuar thellë në zhvillimin e mëtejshëm të pikturës dhe skulpturës evropiane.

Mikelanxhelo u lind në vitin 1475 në Kaprezi të Italisë, rreth 65 km larg Firences. Talentin prej artisti e shfaqi herët. Që në moshën 13 vjeç punonte si çirak në Firence tek artisti shumë i njohur Domeniko Girlandajo. Në moshën 15-vjeçare, i ftuar nga kreu i qytetit, Lorenco De Mediçi, Mikelanxhelo vajti të jetonte në familjen e Mediçëve, ku thuajse u bë edhe anëtar i kësaj familjeje. Talenti i tij sa vinte e rritej, aq sa u bë objekt porosish për piktura si nga Papa, ashtu dhe nga krerë të tjerë shtetërorë të botës. Edhe pse jetoi në mjaft vende, pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Firence dhe Romë. Vdiq në Romë disa ditë para se të mbushte 89 vjeç. Ishte i pamartuar. Edhe pse nuk ishte gjeni universal si pak më i madhi Leonardo Da Vinçi, Mikelanxhelo ka lënë dhe vazhdon të lejë mbresa të pabesueshme me aftësitë e ndryshme krijuese. Është i vetmi piktor që ka përvetësuar majat më të larta të dy shfaqjeve të veçanta të shpirtit njerëzor. Si piktor, me cilësinë e veprave më fine të tij dhe me ndikimin e tyre në piktorët e mëvonshëm, Mikelanxhelo qëndron në krye, ose është maja. Vargu i madh i afreskeve, me anën e të cilave zbukuroi Kupolën Sikstine në Romë, me të drejtë është vlerësuar si një nga realizimet më të mëdha të të gjitha kohërave në fushën e pikturës.

Pavarësisht nga kjo, Mikelanxhelo e ndiente veten skulptor. Sipas shumë kritikëve, ai ka qenë skulptori më i madh në kohën e vet. Statujat e tij Davidi, Mojsiu dhe shumë e njohura, Pieta, tani janë krijime të pakrahasueshme. Mikelanxhelo ishte edhe arkitekt shumë i talentuar. Midis veprave më të mirënjohura në këtë fushë është projekti për Kupolën e Mediçëve në Firence. Për shumë vite, ka qenë edhe arkitekti kryesor i Katedrales së “Shën Pjetrit” (San Pietro) në Romë. Mikelanxhelo është edhe autor i shumë veprave poetike, rreth 300, të cilat ruhen edhe sot. Numri i shumtë i soneteve dhe vjershave të tij u botuan shumë vite pas vdekjes. Ato na japin mundësinë që të futemi thellë në figurën e tij dhe tregojnë qartë se ai ka qenë një poet i talentuar. Siç është sqaruar edhe për Shekspirin, mendojmë se artistët, dhe më konkretisht piktorët, kanë patur relativisht ndikim të paktë në historinë njerëzore dhe në jetën e përditshme. Pikërisht për këtë, Mikelanxhelon e klasifikojmë në libër më ulët se një varg studiuesish e zbuluesish të tjerë, pavarësisht se ata janë shumë më pak të njohur se ai.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Papa Urbani II.