Pesë veçori të Afërditës

5) Afërdita është shumë e ngjashme, por edhe shumë e ndryshme nga Toka.

Nëse Tokës do t’i gjenim një binjake në sistemin diellor, padyshim që do të ishte Afërdita. Masa e Afërditës është sa 0.81 e asaj të Tokës. Madhësia e tyre është përafërsisht e njëjtë. Rrezja e Afërditës është 6,052 km ndërsa e rrezja e Tokës është 6,378 km. Për shkak se masa dhe madhësia e tyre është kaq e krahasueshme, kjo do të thotë se ato kanë afërsisht të njëjtin densitet dhe kompozim. Por nga ana tjetër ato nuk mund të ishin edhe më të ndryshme se ç’janë. Afërdita e ka temperaturën e sipërfaqes gati 481°C dhe presioni atmosferik me dioksid karboni është 95 herë më i madh se i Tokës. Sipërfaqja e Afërditës është një djerrinë e shkretuar. Interesimi për këtë planet është i përqendruar në pyetjen se si këto dy planete kaq të ngjashëm janë njëkohësisht edhe kaq të ndryshëm.

4) Afërdita është planet shumë i nxehtë për shkak të efektit serë.

Për shkak se atmosfera e Afërditës është shumë e trashë, planeti i nënshtrohet një efekti serë të pamasë që e nxeh shumë atë. Edhe pse Afërdita është shumë më afër Diellit se Toka, ajo absorbon më pak dritë diellore për shkak të reve të trasha. Sidoqoftë, një pjesë e mjaftueshme drite arrin t’a gjejë rrugën për në atmosferën e poshtme dhe në sipërfaqe. Kjo dritë diellore absorbohet dhe rirrezatohet në formën e rrezeve infra të kuqe. Në Tokë rrezatimi infra i kuq kthehet mbrapsht në hapësirë ndërsa në Afërditë, për shkak të reve të trasha me dioksid karboni, rrezatimi infra i kuq kapet dhe ngroh planetin.

3) Afërdita rrotullohet në të kundërtën e planeteve të tjerë.

Nëse do të shikosh poshtë në sistemin diellor nga diku sipër polit te veriut të Diellit, do të shihje që Dielli rrotullohet në drejtim të kundërt me orën. Po ashtu edhe të gjithë planetët përveç Afërditës dhe Uranit. Afërdita rrotullohet në drejtim me akrepat e orës, në boshtin e saj. “Dita” në këtë planet është shumë e gjatë, sa 243 ditë tokësore dhe madje është edhe më e gjatë sesa viti i cili zgjat sa “225” ditë tokësore. Është ende një çështje e hapur se pse Afërdita sillet në këtë mënyrë. Dyshohet se shkaktohen nga rrymat diellore që veprojnë në atmosferën shumë të dendur të Afërditës ose përplasjet me trupat e mëdhenj që kanë ndodhur në të kaluarën.

2) Atmosfera rrotullohet më shpejt sesa planeti.

Ndërkohë që Afërdita dalë ngadalë sillet rrotull boshtit të saj çdo 243 ditë, atmosfera e saj e sipërme përshpejton përreth planetit duke u rrotulluar për 4 ditë. Pse? Spekulohet se ky “super-rrotullim” siç edhe quhet ka të bëjë me rrymat termale që induktohen nga Dielli, por një shkak përfundimtar nuk është i njohur.

1) Atmosfera e saj mund të ketë jetë.

Super-rrotullimi i Afërditës është zbuluar duke vëzhguar shtresat e errëta në atmosferën e saj. Se çfarë janë këto shtresa dhe se pse super-rrotullimi nuk i ka përzier barazimisht ato nëpër atmosferë, nuk është e ditur ende. Një mundësi është që këto shtresa evidentojnë jetë mikrobiale. Sipërfaqja e Afërditës është 482°C, por 50 dhe 60 km mbi sipërfaqe temperatura dhe presioni janë si ato të Tokës në sipërfaqe. Por, si i bëhet reve me acid sulfurik? Mundet që mikrobet të mbulohen në molekula squfuri me 8 atome (S8) që mund t’i bëjë ato të papërshkueshme nga acidi sulfurik. S8 gjithashtu absorbon dritën ultravjollcë./skeptik

Burimi:
https://www.britannica.com/list/5-weird-facts-about-venus