Pesë dështimet e Qeverisë në rrugën e integrimit Evropian

0
107

Republika e Kosovës vazhdon të përballet me sfida serioze në rrugën e integrimit
Evropian. Nivelet e këtyre sfidave janë të dyfishta. E para, ajo e pamundësisë politike për
tu garantuar që perspektiva Evropiane e Kosovës është e pakontestuar nga çdo shtet
anëtar i BE-së, që natyrisht reflekton në mënyrën e vendimmarjes në Këshill të BE-së në
raport me çështjet që lidhen me Kosovën. E dyta, mungesa e një përkushtimi minimal të
Qeverisë dhe akterëve të tjerë politik për të zbatuar në mënyrë solide reformat e
kërkuara nga ajo që tashmë njihet si politikë e zgjerimit e BE-së. Në këtë Shënim
Politikash, ne i bëjmë një analizë dështimeve të Qeverisë së Kosovës në vitin 2018 dhe
fillim vitin 2019 sa i përket zbatimit të agjendës së integrimit Evropian.

Mbi këtë bazë, sipas Grupit për Studime Politike dhe Juridike në Kosovë, vlerëson se janë pesë fusha ku Qeveria dhe akterët tjerë relevant kanë theks të shtuar
të papërgjegjësisë dhe rrjedhimisht dështimet janë më se të vërejtshme.

1. Klientelizmi, madhësia enorme e Qeverisë, menaxhimi abuziv i parasë publike dhe
një sektor publik jo-efiqient;
2. Mungesa e një reforme thelbësore në sistemin e drejtësisë dhe ndikimi politik;
3. Një sektor privat jo konkurrent, me tendencë monopolizimi dhe mungesa e një
sistemi solid të ruajtjes së konsumatorit;
4. Sistemi arsimor i bazuar në premisa të nën-rregullimit, mungesës së kualitetit dhe
konkurrueshmërisë me rajonin dhe më gjere;
5. Një tendencë në rritje e migrimit si rezultat i imazhit në rënie të institucioneve
publike dhe mungesës së barazisë para ligjit.

1.
Sektori publik në përgjithësi vazhdon të jetë i prekur thelbësisht nga dukuria e
nepotizmit. Emërimet e larta publike, përfshirë ato në shërbimin civil por edhe në
institucionet e pavarura që i raportojnë Kuvendit, mbesin të kontrolluara nga interesa të
ngushta partiake dhe/apo klanore. Një perspektivë e tillë së fundmi është shfaqur në
rastin e punësimeve në ndërmarrjen publike Telekomi i Kosovës, por jo vetëm.
Megjithëse Qeveria duhej t’i përkushtohej një standardi minimal të largimit nga kjo
dukuri, ajo jo vetëm që nuk ka dhënë as dëshminë më të vogël që është e përkushtuar
ndaj një politike të tillë të integritetit por shpesh ka dalur në mbrojtje të parimit që ‘kjo
përbën një sjellje normale kur tashmë një zakon i tillë është i etabluar në sistemin
publik’. Lufta ndaj klientelizimit dhe nepotizmit është një ndër segmentet më
substanciale të kërkesave të politikës së zgjerimit, dhe dështimi i Qeverisë dhe

institucioneve gjegjëse për të respektuar atë është tregues i një qasje seriozisht kundër
vlerave të procesit integrues.
Në anën tjetër, jemi dëshmitar që Kosova përballet me një sektor publik në rritje, me
qeverinë me numrin më të madh të dikastereve dhe kabineteve në rajonin e Evropës Jug
Lindore të krahasueshëm me një shtet që është 100-fishi i Kosovës, përbën dëshmi që
ajo nuk ka treguar as minimumin e përkushtimit për t’ju përmbajtur kërksave të PAR
dhe racionalizimit të procesit te vendimmarrjes.
Menaxhimi i financave publike vazhdon të jetë pre e shkeljeve të standardeve ligjore. Një
gjë e tillë vërehet në vendimet e Qeverisë për të shfrytëzuar, përkatësisht keqpërdorur,
fondin rezervë. Shumica nga vendimet financiare të Qeverisë në këtë drejtim janë bërë
në shkelje të klauzolës së Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike i cili përcakonte
kriteret mbi bazën e të cilave mund të bëhet shfrytëzimi i fondit rezervë.
2.
Ndikimi politik në sistemin e drejtësisë mbetet sërish një ndër brengat kryesore në
procesin e integrimit Evropian. Qeveria nuk ka bërë asnjë hap konkret në drejtim të një
reforme përmbajtësore në sektorin e sundimit të ligjit në vitin 2018 dhe fillim vitin
2019. Edhe pse Qeveria kishte planifikuar një ‘kuazi’ reformë përmes të ashtuquajturit
rishikimi funksional i sektorit të drejtësisë, një gjë e tillë nuk ka përfunduar ende dhe as
nuk ka dhënë dëshmi të një përkushtimi minimal të asaj që duhet arritur.
Përbërja dhe rregullimi aktual i sistemit të drejtësisë e bënë atë të paaftë, shpesh herë
edhe për shkak se është krykëput i ndikuar, në luftimin e suksesshëm të korrupsionit,
krimit, nepotizmit dhe keqpërdorimin aktiv të pozitave dhe parasë publike. Në vend se
të kontribuoj në përmirësimin e kësaj gjendje, Qeveria aktuale vetëm sa e ka e
përkeqësuar atë.
Në anën tjetër ka dështim të institucioneve përgjegjëse për të adresuar në thelb
mungesën e vendimeve gjyqësore të prera për figurat e larta publike të cilat janë hetuar
ose janë publikisht të denoncuar si të përfshirë në korrupsion apo krim serioz.
Për më tepër, kultura e imunitetit politik ndaj sistemit të drejtësisë po vazhdon me të
njëjtin trend, dhe shoqërohet me situata kur ministra të qeverisë që janë të akuzuar për
vepra penale vazhdojnë të ushtrojnë detyrat e tyre në mënyrë të pakontestuar.

3.
Në anën tjetër, zhvillimi ekonomik vazhdon të jetë peng i një sektori privat cdo herë e
më shumë të monopolizuar dhe të paaftë t’i bëj ballë konkurencës nga jashtë. Një tregu
të punës i cili ndonëse aspak favorizues ballafaqohet me shpërputhje të theksuar të
kërkesave të tregut dhe përgatitjes profesionale të fuqisë punëtore, përgjegjësi të cilën
kanë dështuar ta plotësojnë institucionet e arsimit të lartë. Në anën tjetër, mbrojtja e
konsumatorit vazhdon të jetë një fushë ku nuk është ndier ende dora e Qeverisë.

4.
Gjatë këtyre viteve, Qeveria nuk kishte vullnetin të ndërmerrte një strategji të reformës
substanciale të sistemit të arsimit të lartë, për t’ia kthyer atij kredibilitetin dhe cilësinë e
kërkuar; sigurinë dhe kualitetin e marrjes së titujve, garantimin e përshtatjes e sistemit
arsimor me nevojat e tregut bashkëkohor dhe, më së shumti, forcimin e sistemit të luftës
ndaj abuzimit në sistemin e arsimit të lartë.

5.
Migrimi, ndonëse kësaj radhe brenda suazave të migrimit te ligjshëm, është rikthyer si
shqetësim kombëtare që sinjalizon qartë pakënaqësite e qytetarëve me mënyrën e
qeverisjes në vend. Qeveria nuk dëshmoi në asnjë rast në vitin 2018 dhe fillim vitin 2019
që ajo gëzonte aftësinë për tu përballur me këtë çështje, dhe as që ka ndërmarr ndonjë
veprim strategjik për ta planifikuar një politikë që e parandalon një gjë të tillë.

Dështimet që sapo u përmendën, kanë të përbashkët mungesën e vullnetit dhe
përkushtimit të vendimmarrësve dhe përfaqësuesëve politik për të zbatuar me sukses
reformat e nevojshme në kuadër të politikës së zgjerimit të BE-së. Kosova vazhdon të
përballet me probleme thelbësore në funksionimin e mirëfilltë te pothuajse secilës sferë
publike, dhe rëndom progresi potencial shndrrohet në regres të parashikuar.