Personaliteti i cili ka shprehur thelbin e ideve kryesore të Revolucionit Amerikan

0
148

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 44 me rradhë ka Xhon Lok.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr XXXXIV- Xhon Lok

(1632-1704)

Filozofi i shquar anglez Xhon Lok, është i pari, që përgjithësoi në formë të përsosur idetë themelore të kushtetutës demokratike. Ato patën ndikim të fuqishëm te themeluesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe te shumica e filozofëve të shquar të kulturës franceze.

Loku është lindur në vitin 1632, në Rington të Anglisë. U diplomua në Universitetin e Oksfordit. Në vitin 1656 u bë asistent, dy vjet më vonë magjistër. Atij i interesonin në mënyrë të veçantë shkencat. Në moshën 36-vjeçare u zgjodh anëtar i Shoqatës Mbretërore të Shkencave. Midis miqve të tij të ngushtë ishin kimisti i njohur Robert Bojl dhe shkencëtari Isak Njuton. Ai kishte interes edhe për shkencën e mjekësisë, ku mori edhe titullin e akademikut, por si mjek punoi pak. Çast i rëndësishëm i jetës së tij ishte njohja me grofin Shefstberi, që iu bëri sekretar dhe mjek personal i familjes. Shefstberi njihej në politikë si ndjekës i ideve liberale. Për këtë edhe ishte burgosur nga mbreti Çarls II. Në vitin 1682, Shefstberi iku në Holandë ku vdiq shpejt. Për shkak të lidhjeve të ngushta me të, edhe Loku pati probleme me pushtetin. Ndaj, edhe ai, në vitin 1683 vajti në Holandë, ku ndenji deri në revolucionin e suksesshëm të vitit 1688, kur Çarls II kishte rënë  dhe vendin e tij e kishte zënë Xhejmsi II. U kthye në atdhe në vitin 1689. Nuk u martua. Vdiq në vitin 1704.

Loku është njohur më tepër nga libri i tij “Ese mbi parimet e njerëzimit”(1690), ku trajton prejardhjen, natyrën dhe kufijtë e dijes njerëzore. Parimet e tij, në bazë, janë empirike, të ndikuara nga Frencis Bekoni dhe Rene Dekarti. Idetë e tij kanë ndikuar te filozofët Xhorxh Barkli, Dejvid Hjum dhe Emanuel Kanti. Edhe pse “Ese mbi parimet e njerëzimit” është vepra më origjinale e Lokut dhe një nga krijimet më të njohura klasike në filozofi, ajo nuk pati atë ndikim të madh në zhvillimin e historisë sa kanë patur punimet e tij në fushën e politikës. Në “Letrat për tolerancën”(Botimi i parë i vitit 1689 ishte anonim), Loku ka pohuar se shteti nuk duhet të pengojë lirinë e fesë. Ai nuk ka qenë anglezi i parë, që pranonte ekzistencën e të gjitha feve. Megjithatë, argumentet bindëse që solli për një tolerancë të dukshme, forcuan mbështetjen e përgjithshme të pikëpamjeve të tij. Krahas kësaj, parimin për tolerancën Loku e zgjeroi më tej: sipas tij, ky parim nuk duhet të ishte vetëm për kristianët: “… Nga të drejtat qytetare nuk duhet të shkëputen për shkak të fesë as ata, që janë për politeizmin, as muhamedanët dhe as hebrenjtë”. Sipas normave bashkëkohore, kjo nuk duhet vlerësuar si tolerancë e veçantë, megjithatë, mendimi i shëndoshë na detyron ta vlerësojmë sipas ideve mbizotëruese të kohës së tij. Në të vërtetë, për lexuesin e atëhershëm, shumë më të besueshme ishin argumentet në shërbim të tolerancës fetare sesa përfundimet që nxirrte. Pjesërisht, falë veprave të tij, toleranca fetare në kohën tonë ekziston edhe në ato grupe që ai i kishte përjashtuar. Rëndësi edhe më të madhe ka vepra ”Dy drejtime për udhëheqjen qytetare” me anën e së cilës Loku shpall idetë themelore për kushtetutën demokratike liberale. Ndikimi i kësaj vepre në mendimin politik të të gjithë botës anglofone është shumë i thellë. Ai besonte shumë në të drejtat e natyrshme të njeriut, që nënkupton, jo vetëm të drejtën për të jetuar, por edhe të lirisë vetjake si dhe të drejtën e pronës private. Detyra kryesore e pushtetit, sipas Lokut, është të mbrojë çdo njeri dhe pasurinë e tij. Këtë pikëpamje ngandonjëherë e quajnë si  ”teoria e pushtetit për roje nate”.

Duke mohuar të ashtuquajturën e drejta hyjnore e mbretërve, Loku shprehu bindjen e tij se çdo udhëheqës duhet ta fitojë pushtetin vetëm në pajtueshmëri me rregullat administrative:”Liria e çdo njeriu në përgjithësi do të thotë, që ai të mos i nënshtrohet asnjë pushteti tjetër ligjvënës, veç atij që është në përputhshmëri me shtetasit”. Loku këmbëngulte thellë në idenë e bashkëbisedimit të përgjithshëm. Kjo ide, deri diku është marrë nga vepra e filozofit më të hershëm anglez, Tomas Hobs (1588-1679). Por Hobsi, idenë e bashkëbisedimit të përgjithshëm e shfrytëzoi për të justifikuar absolutizmin, ndërsa sipas Lokut, ky bashkëbisedim mund të bëhej jashtë forcës. ”…Kur ligjvënësit synojnë të rrëmbejnë ose të shkatërrojnë pasurinë e njerëzve, ose t’i sistemojë ata në nivelin e robërve të një pushteti të dëshirueshëm, ata vihen në gjendje lufte me popullin, i cili atëhere nuk i nënshtrohet askujt.

Mbetet vetëm zgjidhja e zakonshme, që Zoti ua ka dhënë të gjithëve: lufta kundër forcës dhe tiranisë.”

Dhe më tej: “… Popullit i mbetet që ta largojë pushtetin e lartë ose të ndryshojë ligjet, që bien në kundërshtim me vullnetin e tyre”.

Loku ka mbrojtur në mënyrën kategorike të drejtën për revolucion. Ai ka ndikuar te Tomas Xhefersoni dhe revolucionarët e tjerë amerikanë. Loku ka qenë partizan i parimit të ndarjes së pushtetit. Ai sugjeronte që pushteti ligjvënës të qëndronte më lart nga ai ekzekutiv (njëkohësisht edhe gjyqësori, për të cilën mendonte se është pjesë e pushtetit ekzekutiv). Si partizan i mbizotërimit të pushtetit ligjor, Loku u ngrit kundër të drejtave të gjyqtarëve për “të rregulluar” disa akte ligjore të parregullta. Edhe pse besonte se fjalën vendimtare e kishte shumica, Loku përsëri këmbëngulte në mendimin që asnjë pushtet nuk duhet të vepronte me të drejta të pakufishme.  ”Shumica nuk mund t’i shkatërrojë të drejtat e natyrshme njerëzore, dhe nuk është e lejueshme që të hiqet e drejta e pronës private, vetëm në përputhje me administrimin. ”Si përfundim, del se Loku ka shprehur thelbin e ideve kryesore të Revolucionit Amerikan. Ndikimi i tij ka lënë mbresa të fuqishme te Tomas Xhefersoni. Idetë e Lokut u futën edhe në Evropë e më konkretisht në Francë. Ato ndikuan tërthorazi në afrimin e Revolucionit Francez dhe të Deklaratës Franceze për të drejtat e njeriut.

Edhe pse personalitetet, si Volteri dhe Tomas Xhefersoni njihen më tepër se Loku, veprat e këtij të fundit u kanë paraprirë dhe kanë patur ndikim të fuqishëm tek ta. Prandaj, është e logjikshme që Loku të klasifikohet në libër përpara tyre.

 

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Ludvig Van Bethoven.