Përmbytjet, zjarret dhe ndryshimet klimatike

0
58

Ditët e fundit qyteti italian i Venecias ka pësuar përmbytjet më masive në 53 vjet – duke shkaktuar një debat të ashpër mes politikanëve italianë nëse shkaktari janë ndryshimet klimatike të bëra nga njeriu. I njëjti debat po zhvillohet në Australi ndërsa zjarret e nxitura nga temperaturat e larta po i afrohen qytetit të Sidnit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton për ngjarjet ekstreme të motit që po shkaktojnë debatin për klimën.

Niveli i ujërave po bie më në fund në Venecia – dhe qyteti po fillon pastrimin.

Një seri reshjesh masive rekord ditët e fundit përmbytën shtatëdhjetë përqind të qytetit. Bazilika e Shën Markut është përmbytur gjashtë herë gjatë 1200 vjetëve. Katër nga këto përmbytje kanë ndodhur në njëzet vitet e fundit. Kryetari i bashkisë së qytetit është i bindur se përmbytjet, janë shkaktuar nga ndryshimi i klimës.

“Kemi nevojë për shkencëtarë këtu. Ata duhet të vijnë dhe të krijojnë një vend të përhershëm ku të mund të studiojnë dhe më pas të tregojnë atë që po ndodh këtu për shkak të ndryshimit të klimës, me të gjitha efektet e saj. Venecia është vijën e parë të frontit të të gjitha ndryshimeve që po ndodhin në botë”.

Jo të gjithë venecianët pajtohen me këtë vlerësim. Javën e kaluar ligjvënësit rajonalë hodhën poshtë një plan për të trajtuar ndryshimet klimatike. Menjëherë pasi përfunduan debatin, dhoma ku ata po takoheshin u përmbyt.

Qeveria shpreson të përfundojë një barrierë për përmbytjet deri në vitin 2021. Por Venecia mund të pësojë më shumë përmbytje katastrofike deri atëherë. Shumica e shkencëtarëve thonë se frekuenca në rritje dhe intensiteti i përmbytjeve është pjesë e ndryshimeve klimatike të bëra nga njeriu.

“Është e vështirë të fajësosh ndryshimet klimatike për ngjarje të caktuara, por unë mendoj se po shohim një sinjal vërtetë të fuqishëm për efektet e ndryshimit të klimës. Kështu për shembull në rastin e Venecias, ne e dimë që niveli i detit po rritet për shkak të rritjes së temperaturave, niveli i deteve dhe i oqeanit po rriten. Kështu që e dimë që rreziku i përmbytjes në zonat bregdetare, veçanërisht rreth Venecias për momentin, po shtohet”, thotë profesor Nigel Arnell, hulumtues i klimës në universitetin Reading.

Gjashtëmbëdhjetë mijë kilometra larg, rrokaqiejt e Sidnit u mbështollën nga tymi të martën ndërsa zjarret aty pranë dolën jashtë kontrollit në shtetin New South Wales të Australisë. Mbi 500 shtëpi janë shkatërruar dhe katër njerëz kanë vdekur.

“Temperaturat po rriten. Kur është thatësirë, ajri bëhet edhe më i thatë ndërsa temperaturat rriten dhe lagështia bie. Në këto kushte zjarret po bëhen gjithnjë e më të zakonshme”, thotë profesor Nigel Arnell.

Qeveria konservatore e Australisë ka kritikuar ata që i lidhin zjarret me ndryshimin e klimës si “ambientalistë që dërdëllisin” – duke shkaktuar zemërim tek kundërshtarët.

“Kjo qeveri ka pasur të gjitha mundësitë për të minimizuar rrezikun e këtyre zjarreve katastrofike dhe në vend të kësaj ka zgjedhur ti hedh karburant zjarrit”, thotë Adam Bandt, zëvendës kryetar i Partisë së Gjelbërt në Australi.

Ashtu si vitet e kaluara, 2019 shënoi thyerje të rekordeve të klimës – me rezultate befasuese.

Shkencëtarët paralajmërojnë se bota po lëviz shumë ngadalë për të trajtuar ndryshimet e klimës – kështu që katastrofat si këto po bëhen më të zakonshme në të gjithë botën.