Përgjigja e Presidencës lidhur me Ekipin Negociator të proklamuar nga kryeministri i shkarkuar

0
56

Meqë dje dhe sot kishte shumë pyetje drejtuar Zyrës së Presidentit lidhur me Ekipin Negociator të proklamuar nga kryeministri i shkarkuar, Zyra për Informim e Presidentit të Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar, se kryeministri në largim nuk është konsultuar me Presidentin si udhëheqës i politikës së jashtme.

Kryeministri është i shkarkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është kryeministër në largim i një qeverie në largim. Ai përveç që nuk është konsultuar me Presidentin si udhëheqës i politikës së jashtme, me këtë qasje është duke e shkelur edhe hierarkinë kushtetuese.

Kryeministri i shkarkuar është i delegjitimuar nga votat e shumicës absolute të përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Kosovës dhe nuk mund të bëjë zotime në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe as në emër të një qeverie në largim.

Lista e delegacionit të propozuar nga kryeministri i shkarkuar mbetet një dëshirë personale e tij dhe asgjë më shumë.