Përfundon rinumërimi i vendvotimeve, nuk dihet kur certifikohen rezultatet

0
71

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve(QNR) ka përfunduar procesi i rinumërimit të 1407 vendvotime për të cilat kishte vendosur Paneli Zgjedhor i Aankesave dhe Parashtresave (PZAP) pas shpalljes së rezultateve përfundimtare.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi theksoi se ka përfunduar procesi i rinumërimit të 1407 vendvotimeve, por nuk ka treguar rezultatin e tyre.

Elezi theksoi se rezultati pas këtij procesi të rinumërimit do të publikohet në ueb-faqen e KQZ-së dhe do të ndodhë sa më shpejt që është e mundur dhe më së largu deri nesër.

Ai po ashtu nuk e di ende nëse e ka kaluar pragun koalicioni Nisma-AKR-PD. Pas përfundimit të rinumërimit, subjektet politike kanë të drejtë ankese 24 orë lidhur me administrimin në QNR.

“Unë nuk i kam rezultatet, në momentin që të publikohen ato shihen rezultatet për secilin parti, natyrisht edhe për kandidatët. Unë nuk i di rezultatet, i presim rezultatet në momentin e publikimit të tyre dhe aty do të jenë rezultatet në mënyrë të detajuar për subjektet politike. Nuk e di varet nga procedurat e QNR-së por besoj që më së largu deri nesër do të mund të bëhen publike, pa dashur që të specifikoj orën”, deklaroi Elezi.

Për certifikimin e rezultateve, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se para se të bëhet certifikimi duhet të marrin konfirmim nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme.

Procesi i certifikimit të rezultatit final të zgjedhjeve të 6 tetorit me sa duket nuk do të marrë fund shpejt.

Në KQZ kanë arritur edhe 392 pako me fletëvotime nga diaspora, për të cilat VV-ja kërkon numërimin e tyre. Kjo parti ka paraqitur ankesë në PZAP në lidhje me pranimin e këtyre votave.

Elezi tha se për këtë çështje se kanë pranuar një kërkesë nga PZAP-ja, ndërsa tha se i kanë kthyer përgjigje, pa treguar për epilogun.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë ditës së djeshme i ka kthyer përgjigje Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me çështjen në fjalë. Gjithashtu, KQZ para se të bëjë certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve merr konfirmimin nga ana e PZAP, si dhe nga Gjykata Supreme se nuk ka ndonjë çështje që nuk është në shqyrtim, pra në momentin kur t’i kemi këto konfirmime si institucion mund të procedojmë për certifikimin e rezultatit përfundimtar”, theksoi ai.

Kujtojmë, se më 7 nëntor KQZ kishte shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit, ndërsa më 11 nëntor PZAP mori vendim për rinumërimin e këtyre vendvotimeve, kurse më 13 të këtij muaj kishte nis procesi i rinumërimit të mbi 1400 vendvotimeve.