Përfundon protesta për pasigurinë në vendet e punës

0
133

Qytetarë të Kosovës kanë protestuar sot për pasigurinë në vendin e punës. Në protestën e thirrur nga organizata joqeveritare “Beyond the Wall”, ata janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe  me 93 helmeta në duar, kanë marshuar tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Rrethojat e Qeverisë së Kosovës u mbushën me 93 helmeta, për secilin person që ka humbur jetën në vendin e punës.

Organizatorët e protestës bënë të ditur se për secilin rast që zbardhet, një helmetë do të largohet nga aty, ndërsa për çdo rast të ri do të shtohet një e tillë në rrethojat e ndërtesës së Qeverisë.

Moto e protestës së sotme ishte “Ndërtesat janë tuajat, jeta është e jona”.

Kushtrim Mehmeti, organizator i protestës tha se nëse dikush i largon këto helmeta pa lejen e tyre, do të konsiderohet bashkëfajtor për rastet e vdekjeve në vendin e punës.

Këto 93 helmeta do të shtohen në qoftë se ka numër tjetër të vdekjeve në vendin e punës, për secilën vdekje të re do të shtohet një helmetë me një numër të ri, e për secilin rast zbardhet do të hiqet një helmetë. Nëse qeveria ose dikush tjetër vendos t`i largojë këto helmeta pa lejen tonë atëherë ata llogariten bashkë kriminelë, bashkë fajtorë me përgjegjësit për rastet e vdekjeve në vendin e punës. Protesta jonë është diçka që me ngritë një vetëdije dhe me u rrit një bashkëpunim qytetarë që me pa se momentalisht gjendja e punëtorëve është gjendje e mjerueshme”, deklaroi Kushtrim Mehmeti, organizator i protestës.

Pjesë e protestës ishte edhe Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

Ai tha se Qeveria e Kosovës nuk është interesuar të merret me zvogëlimin e rasteve për punëtorët që vdesin në vendin e punës.

“Numri i cili është për nëntë muaj 18 raste është numër rekord pas luftës dhe për këtë e them me bindje të plotë i kemi ofruar modalitetet që të dalim dhe ti inspektojmë kompanitë që t`i edukojmë edhe pronarët e kompanive por ti edukojmë edhe punëtorët megjithatë shteti nuk e ka treguar as interesimin më të vogël dhe jemi këtu ku jemi. Po të vdesin brenda 9 muajsh 18 punëtorë, dikush duhet të jap përgjegjësi”, tha Jusuf Azemi.

Organizatorët bënë të ditur se nëse nuk ndërmerren masa, do të vazhdojnë edhe me aksione të tjera.OxygenPress.info

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu