Përfundon Azhurnimi i Qarqeve Regjistruese

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka përfunduar projektin e Azhurnimit të Qarqeve Regjistruese 2020.
Ky projekt ka filluar në qershor të këtij viti dhe ka pasur për qëllim përmirësimin e kornizës së mostrës së qarqeve regjistruese për nevoja të anketave të rregullta të ASK-së, si dhe për nevoja të përgatitjes së bazës hartografike dhe operative për Regjistrimin e Popullsisë 2021.
Gjatë kësaj periudhe janë azhurnuar 2 300 qarqe regjistrues në tërë territorin e Kosovës. Azhurnimi i Qarqeve Regjistruese ka regjistruar në terren të gjitha ekonomitë familjare dhe i ka identifikuar të gjitha objektet ndërtimore në kuadër të qarqeve regjistruese.
Mbledhja e të dhënave është bërë përmes metodës CAPI (Intervistimi Personal i Asistuar me Kompjuter) përmes së cilës ASK-ja mëton ta përmirësojë cilësinë e të dhënave dhe t’i shkurtojë afateve kohore për mbledhjen e të dhënave. Metoda CAPI po ashtu ka një kosto më efektive dhe është një zgjidhje më e qëndrueshme.
Përmes këtij projekti, ASK-ja ka një pasqyrë të qartë në terren për të dhënat e:
• Numrit të ekonomive familjare,
• Etnicitetit të ekonomisë familjare,
• Numrit të ekonomive familjare në një ndërtesë,
• Objekteve ndërtimore të dedikuara për banim,
• Numrit të objekteve ndërtimore të banuara/zbrazëta
• Numrit të banesave në ndërtesë,
• Numrit të kateve në ndërtesë,
• Objekteve ndërtimore, të banuara, që nuk gjenden në hartën e Qarkut Regjistrues,
• Objekteve ndërtimore që figurojnë në hartën e Qarkut Regjistrues, e që aktualisht nuk gjenden në terren (sepse në ndërkohë janë rrënuar).