Përdorimi i bojërave të flokëve, rrezik për shëndetin

0
72

Sipas një studimi të publikuar së fundi në International Journal of Cancer, bojërat e flokëve dhe drejtuesit kimikë mund të rrisin rrezikun e kancerit.

Studimi i porositur nga National Institute of Health doli në përfundimin se gratë që përdorin rregullisht bojë flokësh kanë 8% më shumë shans të vuajnë nga kanceri i gjirit në të ardhmen. Ndërsa ato që përdorin trajtime drejtuese, 18% më shumë shans.

Lidhja mes kancerit të gjirit dhe bojërave të flokëve është studiuar me dhjetëra herë, por rezultatet s’kanë qenë kurrë bindëse. Autorët e studimit më të fundit thonë se rezultatet duhet të konfirmohen dhe të vihen nën kontekst.

“Dimë që shumë faktorë ndikojnë në zhvillimin e kancerit të gjirit,” thotë autorja Alexandra White. “Përveç studimit, gratë duhet të kenë parasysh edhe aktivitetin fizik dhe dietën. Ka shumë faktorë që s’duhen harruar kur parashikojmë rreziqet e ardhshme shëndetësore.”

Studiuesit mendojnë se për sa i përket bojërave të përhershme flokut, përbërësit më me rrezik janë aminat aromatike, kimikate pa ngjyrë që lidhen me ADN-në në indet e gjoksit dhe shkaktojnë dëme që pasohen nga qeliza kanceroze. Bojërat e përkohshme përmbajnë më pak amina dhe janë më të sigurta për t’u përdorur.

Për sa i përket drejtuesve kimikë, si trajtimet me keratinë, ose përmbajnë formaldehid, që është karcinogjen i njohur, ose e çlirojnë gjatë procesit.

Sidoqoftë, mos hiqni dorë menjëherë nga bojërat e flokut apo trajtimet, pasi siç e thanë edhe vetë studiuesit, në kancerin e gjirit “ndikojnë shumë faktorë.”

Burimi: Time