Për katër muaj mbi 22 mijë raste me grip në Kosovë

0
102

Nga 1 tetori i vitit 2018 deri sot në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik janë raportuar gjithsej 22.726 raste të dyshimta në grip, 3.882 raste me infeksione respiratore akute dhe 25 raste me infeksione të rënda respiratore acute, njofton IKShP.

Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës, por asnjëra nuk e kalon pragun epidemik.

Gjatë javës së dytë të këtij viti, janë raportuar 1 mijë e 617 raste ILI dhe 319 raste ARI dhe 3 raste SARI, thuhet në njoftim.

Në laboratoret e Qendrës kombëtare të gripit – IKSHPK janë testuar gjithsej 299 mostra të dyshimta në grip, prej tyre 93 raste rezultojnë pozitive në Influencën tip A. Nga 78 raste pozitive në 62 mostra është bërë subtipizimi dhe i takojnë subtipit AH1pdm09 dhe 31 mostra Influencë A.

Deri sot nga Klinika Infektive janë raportuar tri raste exitus të konfirmuara me Influencë A, dy prej tyre të konfirmuara me subtipin AH1pdm09.

Pacientet kanë pasur sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator dhe nuk ka qenë të vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal.

Hospitalizimet: Në Klinikën Infektive, Klinikën e Pediatrisë dhe spitalet rajonale gjatë 24 orëve të fundit janë hospitalizuar 7 raste me Dg. Bronchopneumonia (ARI). 1 rast me Dg.Status griposus dhe 1 rast i konfirmuar me Influencë A.

Ministria e Shëndetësisë tashmë ka siguruar sasi të majftueshme të vaksinave që nga 1 tetori 2018 dhe janë distribuar nga IKSHPK në çdo QKMF në Kosovë andaj qytetarët e moshuar dhe me sëmundje kronike rekomandohen akoma që të vaksinohen. Vaksinimi i gjertanishëm në Kosovë ka treguar një efikasitet dhe ulje te rasteve të hospitalizuara.

Aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë, ekziston mundësia e rritjes së rasteve.

Instituti Kombëtar ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste eventuale të gripit A H1N1 dhe është në gjendje gadishmërie të përcjellë situatën epidemiologjike dhe për çdo ndryshim të situatës do të informoheni me kohë.

Zyrtarët e IKShP tërheqin vërejtjen se virusi H1N1 bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm dhe simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me gripat e zakonshëm.

Instituti ka dhënë rekomandime të duhura profesionale, që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambiente të ftohta, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve, dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.

Masat praktike në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit sezonal.

  • Të evitohen sa është e mundur kontaktet e afërta me individë të sëmurë,
  • Personat e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes
  • Të redukohet numri i vizitave të familjarve tek personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale)
  • Të evitohen vendet e mbyllura dhe mbingarkuara me njerëz
  • Ushqehuni shëndetshëm duke përdorë më shumë vitamina
  • Bëni aktivitet fizik dhe gjumë të mjaftueshë.
  • Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku qëndroni
  • Mbuloni hundën dhe gojën me një shami kur të teshtini dhe kolliteni dhe hidheni më pas në vend të sigurt
  • Lani duart shpesh me ujë dhe sapun, ose përdorni solucione duarsh me alkool
  • Mos prekni sytë, hundën dhe gojën me duar të kontaminuar, pasi virusi përhapet në këtë mënyrë
  • Pastroni dhe dezinfektoni sipërfaqet dhe objektet që mund të jenë kontaminuar nga virusi

Konsultohuni me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit, barnat merren vetëm me rekomandimin e mjekut;

Medikamentet kundër gripit nuk kanë efekt parandalues, mund të përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe të rekomanduara nga mjeku;

Medikamente kundër gripit duhet të fillohen brenda 48 orëve të para të fillimit të sëmundjes për të pasur efektivitet të lartë;

Medikamente kundër gripit mund ta bëjnë sëmundjen më të butë si dhe të shkurtojnë kohën e sëmundjes. Ato mund të parandalojnë edhe komplikimet e rënda që mund të vijnë nga gripi.

Masat parandaluese për përhapjen e virusit të gripit

Mënyra më efikase për parandalimin e virusit të gripit sezonal është vaksinimi me vaksinën kundër gripit.

  • Vaksinimi mbron vetë personin dhe ndihmon në parandalimin e përhapjes së gripit.
  • Vaksinimi kundër gripit sezonal bëhet në muajt tetor–dhjetor por edhe gjatë tërë sezonit të dimrit.
  • Efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë pas marrjes dhe mbrojtja vazhdon rreth një vit pas vaksinimit.