Për herë të tretë radhazi dështon gjykimi ndaj dy zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës të akuzuar për keqpërdorim të detyrës

0
80

Për herë të tretë radhazi, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar gjykimi për keqpërdorim të detyrës ndaj dy zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri, raporton Drejtësia Sot.

Bekteshi dhe Tahiri, po gjykohen në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës së Prishtinës, nën akuzën se kishin keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të dhënies së një tenderi për rrugë një kompanie që kishte ofertuar me çmim më të lartë.

Shkak për dështimin e seancës së sotme ishte mungesa e anëtarës së trupit gjykues Nushe Kukaj- Mekaj, si dhe të akuzuarit Xhelil Bekteshi bashkë me mbrojtësin e tij Betim Shala.

Lidhur me mungesën e gjyqtarës Kukaj- Mekaj, dhe avokatit Shala, kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi- Jashanica, theksoi se të njëjtit gjenden në pushim vjetor. Ndërkaq, sa i përket të akuzuarit Bekteshi, gjykata nuk është informuar për mungesën e tij.

Po ashtu, në seancën e sotme mungoi edhe dëshmitarja E.A., për të cilën ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim nga ana e policisë.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore kjo seancë dështoi të mbahet, dhe e njëjta është shtyrë në afat të pacaktuar.

Ndryshe, ky rast është duke u gjykuar nga trupi gjykues në përbërje prej kryetarës Naime Krasniqi- Jashanica me anëtarët Vesel Ismaili dhe Nushe Kukaj- Mekaj, ndërsa aktin akuzues e përfaqëson prokurori Ibrahim Berisha./DrejtesiSot