Pendohet Carlos Tevez, merr një vendim të ri

0
58

Carlos Tevez ka luajtur në skuadra të mëdha evropiane, ka fituar shumë trofe, ndërsa pak ditë më parë dështoi që me Boca Juniors të fitonte Kupën Libertadores. Pikërisht ky dështim ka bërë që ai të ndryshojë mendje dhe të mos tërhiqet nga futbolli, edhe pse diçka të tillë kishte paralajmëruar para disa ditësh.

“Tifozët ëndërrojnë që të shkojnë sërish në finalen e Kupës Libertadores dhe ta fitojnë këtë trofe, ashtu sikurse edhe unë. Nuk mund të tërhiqem nga futbolli pa e fituar edhe një herë tjetër këtë trofe, objektiv që është një mision për mua. Ndaj, do të luaj edhe një vit me Boca Juniors për ta arritur objektivin”, u shpreh Tevez.

Duket se finalja e humbur një javë më parë ndaj River Plate në “Superclasico” ka lënë pasoja te sulmuesi veteran argjentinas, që nuk dorëzohet.

“Mund të tërhiqem dhe të shijoj jetën bashkë me familjen time, por vendosa të vazhdoj përpara, pasi mbi të gjitha unë jam një tifoz i Boca Juniors. E dua shumë këtë klub. Nuk e di edhe për sa kohë do të luaj, por di që kam ende shumë për të dhënë, si në fushë ashtu dhe në bankinë. Nuk do të heq dorë”, ka shtuar 35-vjeçari Tevez për Radio La Red.