Pellushët pushtojnë Parisin, vendosen kudo për t’u sjellë gëzim banorëve

Të shohësh njerëzit teksa ecin nga një dritare, apo duke u lëkundur në një kolovajzë jashtë një dyqani. Arushë pellushi gjigantë, janë një pamje e zakonshme në Paris, në distriktin e 13, ku ata u vendosën për ti sjellë gëzim banorëve, që nga krishtlindjet e 2018.

“Është diçka shumë e bukur. Fëmijët kënaqen shumë. Ata shohin gjithë këta arushë pellushi dhe argëtohen. E gjithë kjo është e mrekullueshme…i jep lagjes një atmosferë shumë të këndshme dhe gazmore”, shprehen qytetarët.

Dhe e gjithë kjo është një akt solidariteti i tregtarëve të zonës. Nuk ka sipas tyre një qëllim të caktuar, thjeshtë ata duan ti bëjnë njerëzit të qeshin teksa ecin nëpër rrugë dhe u japin në të njëjtën kohë vizitorëve një tjetër ide për lagjet pariziene.

Arushët e pellushit, shihen kudo, në stacionet e metrosë, pranë parukerive, në kafene, në farmaci apo edhe brenda makinave. E gjitha nisi si një shaka gazmore, por u shndërrua në një fenomen të pëlqyeshëm, që prej më shumë se një viti tashmë fal buzëqeshje.

Arushët e pellushit janë bërë aq popullorë dhe të dashur, saqë kanë tërhequr edhe vëmendjen e kryebashkiakes së Parisit, Anne Hidalgo, që në një postim në “twitter”, kish shkruar një bravo të madhe./tch