PDK: E befasishme dhe pa pritshme se si u trajtua Ligji për vlerat e UÇK-së

0
44

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Gazmend Bytyçi, në konferencën e organizuar në seli të PDK-së, ka cekur rëndësinë e miratimit të ligjit për Mbrojtjen e verave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëherësh ka shfaqur befasinë për mungesën e miratimit, pas tre muajve diskutime për miratim në lexim të parë, me mundësi të përmirësimit të tij në lexim të dytë.

Deputeti Bytyçi ka cekur se “edhe më e çuditshme është se si deputetët tanë apo kolegët tanë që nuk patën guximin që të jenë brenda sallës por një pjesë e tyre qëndruan edhe jashtë kuvendit, ndërsa një pjesë e tyre qëndruan brenda dhe nuk votuan as për, as kundër, as abstenim”.

Ja deklarata e plotë e z. Bytyçi:

“Sot është duke u mbajtur seanca e Kuvendit, për mua ka qenë e befasishme dhe e pa pritshme mënyra se si u trajtua pika e parë e rendit të ditës apo për Ligjin që trajton vlerat e UÇK-së.

Ishte e befasishme ajo formë e votimit, sepse qe 3 muaj kemi diskutuar dhe kemi bashkëbiseduar me të gjitha grupet parlamentare dhe kemi pasur konsensusin politik dhe unitetin që këtë ligj ta trajtoj në lexim të parë dhe pastaj shqetësimet t’i adresojmë në lexim të dytë dhe ta përmirësojmë.

Edhe më e çuditshme është se si deputetët tanë apo kolegët tanë që nuk patën guximin që të jenë brenda sallës por një pjesë e tyre qëndruan edhe jashtë kuvendit, ndërsa një pjesë e tyre qëndruan brenda dhe nuk votuan as për, as kundër, as abstenim.

I kuptojmë disa prej shqetësimeve të kolegëve, disa prej shqetësimeve edhe të miqve ndërkombëtarë, por ne i kemi siguruar dhe i sigurojmë që ne jemi të gatshëm që në leximin e dytë, apo brenda kohës ndërmjet leximit të parë dhe të dytë që t’i bëjmë përmirësimet, amendamentet e nevojshme që të votojnë për.

E rëndësishme është që qëllimi kryesor i këtij ligji është ta institucionalizojmë Luftën e UÇK-së si vlerë sublime e vendit tonë dhe arritje e vendit tonë.”