Pasojat që shkakton mbajtja e teshtimës

Teksa jeni i ulur në një ambient të qetë me njerëz vërdallë dhe ju vjen për të teshtirë, mund të mendoni se ta mbani duke vendosur dorën përpara hundës apo të mbyllni gojën është zgjidhja më e mirë. Epo duhet ta dini që ky veprim jo vetëm që nuk këshillohet nga doktorët mund të shkaktojë probleme të rënda shëndetësore tek ju.

Rasti i një burri i cili pasi pësoi rupturë në pjesën e pasme të fytit teksa mbajti shpërthimin e ajrit që sjell teshtima, ka çuar në shkrimin e shumë artikujve dhe në analizën e doktorëve se çfarë ndodh në trupin tonë, sidomos në pjesën e kokës dhe të qafës në raste të tilla. 34 vjeçari i lartpërmendur u shtrua në spital pasi ndjeu dhimbjen në qafë, në gjendje pamundësie për të folur ose për t’u përtypur, e gjithashtu doktorët gjatë ekzaminimit dëgjonin një kërcitje të lehtë që vinte nga zona e qafës deri tek kockat e vertebrës. Një skanim konfirmoi se ajri nga mushkëritë e tij kishte gjetur një rrugë për t’u futur në indet lidhore dhe muskujt e kraharorit, ku nuk mund të dilte jashtë. Pikërisht kjo ishte shkaktuar nga mbajtja e asaj që duhet të dalë jashtë nga teshtima.

Mjekët e specializuar të veshit, hundës dhe fytit në Britani paralajmërojnë, nisur dhe nga ky rast, se të përpiqesh ta mbash një teshtimë duke u sforcuar apo duke i zënë dhe rrugët e ajrit, mund të çojë në një numër komplikimesh, deri në aneurizma vdekjeprurëse të trurit.

Dr. Wanding Yang nga ekipi kërkimor të Universitetit të Leiçesterit thotë: “Të mbash teshtimën nëpërmjet bllokimit të nostrileve (vrimave të hundës) dhe gojës është një manovër shumë e rrezikshme dhe duhet të shmanget në çdo rast. Mund të çojë drejt komplikacioneve si: ajër i bllokuar mes mushkërive, perforacion i membranës timpanike të veshit dhe rupturë të aneurizmave të trurit, që do të thotë me fjalë të thjeshta një fryrje si tollumbac i enëve të gjakut në kokë.

Doktorët thonë se këto shenja janë të njëjta me sindromën e Boerhaave, e cila çon në shkatërrimin e ezofagut nga të vjellat, vetëm se në këtë rast, presioni i ajrit nga teshtima e bllokuar në zonën oro-laringo-faringeale, ushtrohet pak më sipër, pikërisht në fyt, në faring, menjëherë pas gjuhës.

Kujtojmë që teshtima është e fuqishme, pasi shpejtësia e saj mund të shkojë deri në 300 km/h dhe ka shumë raste kur njerëzit janë shtuar në spital dhe me daullen e veshit të çarë, dëme në sy, nervat facial të dëmtuar, madje dhe me kocka të krisura, vetëm nga fakti që kanë menduar ta mbajnë teshtimën për të qenë të sjellshëm.