Pasaporta Mësimore, shembull se si teknologjia dhe kurrikulat dixhitale mund të përdoren për arsimimin e fëmijëve kudo që ata të jenë

0
88

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me shefin e Zyrës së UNICEF, në Kosovë, z. Murat Sahin dhe zëvendësministrin në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, z. Xhavit Rexhaj, në një konferencë të përbashkët për media kanë bërë lansimin e platformës Pasaporta Mësimore.

Kryeministri në detyrë Kurti tha se lansimi që po bëjnë sot është rezultat i punës së mirë që ka bërë zyra e UNICEF-it në Kosovë, posaçërisht përmes programit UPSHIFT. Kosova është zgjedhur një nga tre vendet e botës të nis, testoj, dhe pilotoj Iniciativën e Pasaportës Mësimore.

“Kur arsimimi i një fëmije apo të riu ndërprehet, pasojat mund të jenë shumë të mëdha për ata dhe për shoqërinë. Pasaporta Mësimore është shembull i shkëlqyeshëm se si teknologjia dhe kurrikulat dixhitale mund të përdoren për arsimimin e fëmijëve kudo që ata të jenë, pa marrë parasysh sfidat, dhe pavarësisht situatës së tyre. Në Kosovë, kjo iniciativë përmes fazës së pilotimit do të arrijë më shumë se 3,500 adoleshentë dhe të rinj; do të lidhë nevojën e të rinjve për të pasur qasje në të mësuarit dixhital dhe për të përfituar më shumë nga aftësitë e nevojshme për shekullin 21, siç janë mendimi kritik e kreativ, si dhe komunikimi efektiv”, tha kryeministri në detyrë Kurti.

Ndërsa, shefi i Zyrës së UNICEF në Kosovë, z. Murat Sahin, tha se Pasaporta e Mësimit u ndihmon fëmijëve që të vazhdojnë mësimin derisa janë larg shkollave. UNICEF ka kuptuar se ka pasur nevojë për këtë ndihmë të shpejtë dhe ekspertizë. “Së bashku fëmijët dhe të rinjtë do të vazhdojnë edukimin e tyre online, në mënyrë që ata të mund të zhvillojnë potencialin e tyre, që të jenë qytetarë aktiv dhe të vazhdojnë të mësojnë e të jenë model rol për të tjerët”, tha Sahin, duke thënë se do ta vazhdojnë mbështetjen edhe në të ardhmen për ministritë e ndryshme në minimizimin e efekteve të COVID -19.

Zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, z. Xhavit Rexhaj, tha se UNICEF-i është me ne tash e 20 vjet në përkrahje të kurrikulave të zhvillimit të edukimit në fëmijëri të hershme, zhvillimit të mësimdhënësve, ngritjes së kapaciteteve të MASHTI-it dhe kohëve të fundit në zhvillimin e shkathtësive bazë të shekullit XXI tek të rinjtë. “Pasaporta e mësimit është edhe një projekt i UNICEF që e vendos më shumë Kosovën në hartë globale”, tha zëvendësministri Rexhaj, duke theksuar se tashmë janë bërë 3-4 javë që po punohet me mësimin në distancë ku janë prodhuar më shumë se 1800 video materiale për klasat nga 1 deri në klasën e 9-të, me mijëra aktivitete mësimore zhvillohen nëpër shkolla të mesme të larta , të përgjithshme dhe profesionale dhe pjesëmarrja sipas raporteve është mbi 90 për qind.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Before I proceed in Albanian, I want to welcome the Head of Office at UNICEF Kosova, Mr. Sahin, and congratulate him on the recent partnership with Microsoft Corporation and Cambridge University to launch The Learning Passport here in Kosova.

Të nderuar gazetarë, të dashur qytetarë,

Jam këtu bashkë me shefin e zyrës së UNICEF në Kosovë, zotri Murat Sahin, dhe me zëvendës ministrin e Ministrisë së Arsimit, zotri Xhavit Rexha, për të lansuar Iniciativën e Pasaportës Mësimore, një program i shkëlqyeshëm për të rinjtë tanë.

Në Kosovë, programi UNICEF bën punë të mirë në monitorimin e të drejtave të fëmijëve tanë, mbrojtjen dhe përfshirjen e tyre sociale, shëndetin si dhe edukimin gjithëpërfshirës.

Zyra e UNICEF në Kosovë veçse ka tre programe të cilat ka filluar të akreditoj dhe përfshij në kurrikulën zyrtare ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit; të tre programet të dizajnuara rreth aftësive konkrete të nevojshme për sukses në shekullin 21.

I pari është UPSHIFT, që ka nisur së pari në Kosovë dhe pastaj është replikuar në 21 shtete tjera të botës, program ky i cili u mëson të rinjve hartimin e zgjidhjeve inovative dhe ndërmarrëse. Programi i dytë është Podium që mëson avokimin tek adoleshentët ashtu që ata të ndikojnë politikat në vend, dhe programi i tretë, PONDER, që ndihmon të rinjtë të bëjnë lexim kritik të mediave dhe rolit të tyre në shoqëri. Edhe këto dy të fundit janë nisur së pari në Kosovë, dhe do të replikohen nga zyret tjera të UNICEF.

Këto tre programe, të gjitha të nevojshme dhe të rëndësishme për sistemin tonë arsimor, do të institucionalizohen në shkollat tona publike në nivel kombëtar. Ne besojmë se përfitimet nga këto programe do të jenë të shumta, së pari duke adresuar mospërputhjen e sistemit arsimor me kërkesat dhe mundësitë për punësim, e pastaj duke i dhënë nxënësve mjete për të qenë aktiv dhe produktiv.

Lansimi që po bëjmë sot është rezultat i punës së mirë që ka bërë zyra e UNICEF-it në Kosovë, posaçërisht përmes programit UPSHIFT. Kosova është zgjedhur një nga tre vendet e botës të nis, testoj, dhe pilotoj Iniciativën e Pasaportës Mësimore.

Në partneritet mes UNICEF, korporatës teknologjike amerikane ‘Microsoft’, dhe Universitetit prestigjioz Britanik ‘Cambridge’, Pasaporta Mësimore do të zhvilloj një platformë dixhitale të personalizuar që do të sigurojë se fëmijët dhe të rinjtë vazhdojnë mësimet e tyre, kudo që të jenë edhe në çdo kohë krize, si përshembull kriza që ka shkaktuar pandemia COVID-19 në sistemin tonë arsimor. Që të tri iniciativat, do të thotë UPSHIFT, Ponder, dhe Podium që kanë nisur në Kosovë, do të digjitalizohen dhe do të jenë pjesë e Learning Passport në dispozicion për të rinjtë jo vetëm të Kosovës por edhe të mbarë botës.

Kur arsimimi i një fëmije apo të riu ndërprehet, pasojat mund të jenë shumë të mëdha për ata dhe për shoqërinë. Pasaporta Mësimore është shembull i shkëlqyeshëm se si teknologjia dhe kurrikulat dixhitale mund të përdoren për arsimimin e fëmijëve kudo që ata të jenë, pa marrë parasysh sfidat, dhe pavarësisht situatës së tyre.

Në Kosovë, kjo iniciativë përmes fazës së pilotimit do të arrijë më shumë se 3,500 adoleshentë dhe të rinj; do të lidhë nevojën e të rinjve për të pasur qasje në të mësuarit dixhital dhe për të përfituar më shumë nga aftësitë e nevojshme për shekullin 21, siç janë mendimi kritik e kreativ, si dhe komunikimi efektiv.

Unë pres me optimizëm të shoh punën që do bëhet në këtë drejtim, dhe arritjet që do t’i mundësojë kjo iniciativë te të rinjtë tanë.

Gjithashtu, dua të shfrytëzoj këtë rast të falënderoj zyrën e UNICEF-it për kontributin që po jep në zbutjen e krizës dhe pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID-19. UNICEF i ka dhuruar Ministrisë së Shëndetësisë 5.1 ton pajisje personale mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë, dhe 20.000 pako higjienike për familjet në nevojë.

Ju faleminderit juve, vullnetarëve dhe stafit si dhe bashkëpunëtorëve tuaj për punën e palodhshme që po bëni, për të mirën e qytetarëve tanë, në këtë periudhë tejet të vështirë për të gjithë.

Now I invite the Head of UNICEF Kosova, Mr. Sahin, to tell us more about this initiative.

Ju Faleminderit.