Pas katër pacientëve që shkuan për trajtim në Turqi, dy të tjerët shkojnë në Austri!

0
174
Nga Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë

Sot, në orët e para të mëngjesit, pas angazhimit të madh dhe bashkëpunimit të jashtëzakonshëm me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, z. Çağrı Sakar, kemi arritur që të dërgojmë për mjekim të mëtejmë në Turqi katër pacientët që kanë pësuar djegie të rënda nga aksidenti në Ferizaj.

Varësisht sipas nevojës dhe vlerësimeve që kanë bërë mjekët në QKUK kemi siguruar që dy pacientët tjerë të dërgohen për mjekim në Austri.
E falënderoj Austrinë për këtë mirëkuptim dhe veprim emergjent për dy qytetarët tanë të lënduar.
Nga momenti i aksidentit të rëndë në Ferizaj, kemi qenë në koordinim të plotë me kryetarin e komunës, z. Agim Aliun, Spitalin e Ferizajt, ShSKUK-në dhe me shumë përkushtim që të bëhet më e mira për shëndetin e secilit pacient të lënduar.
Jemi mirënjohës edhe për gatishmërinë e shumë qytetarëve për të ndihmuar në trajtimin e pacientëve që kanë pësuar në këtë aksident.
Megjithatë, shprehim keqardhje, që edhe në këto momente të vështira për familjarët e atyre që kanë pësuar, ka njerëz të lig dhe pa etikë njerëzore. Disa të tillë, duke u fshehur prapa fatkeqësisë, tentuan t’i njollosin institucionet tona dhe punën e profesionistëve tanë shëndetësorë.
Solidariteti dhe angazhimi i përbashkët është minimum që duhet dhe mund të bëjmë në këto rrethana.