Parku Arkeologjik i Apolonisë, destinacioni i kësaj vere mes historisë dhe kulturës

0
81

Monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike në vendin tonë tashmë janë kthyer në atraksione turistike për turistët e huaj por dhe vendas.

Gjatë këtyre ditëve të nxehta të korrikut Parku Arkeologjik i Apolonisë, në Fier ka mirëpritur 1103 turistë, prej të cilëve 204 janë vizitorë të huaj.

Kryeministri Rama ka publikuar ditën e sotme një foto nga Parku Arkeologjik i Apolonisë si ftesë për turistët gjatë këtij sezoni turistik.

Shqipëria përveç bregdetit ofron mjaft monumente kulture dhe parqe arkeologjike ku të apasionuarit mbas kulturës dhe historisë mund të shijojnë një tur të veçantë në këto vende.

Apolonia në Fier është një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike.

Në Parkun Arkeologjik të Apolonisë ndodhet dhe mozaiku në Vilën me Impluvium i cili është i hapur për vizitorët gjatë sezonit turistik.

Kjo vilë i takon shek. III-II para Krishtit dhe zotëron një oborr të rrethuar me peristil dhe të shtruar me mozaikë me motive gjeometrike dhe floreale.

Mozaiku që daton në shekujt III-II para Krishtit, është një tjetër destinacion turistik por dhe historik, i cili nuk duhet t’i mungojë guidës turistike të turistëve të huaj dhe gjatë këtij sezoni veror./ATSH